Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Shqipëria dhe Sllovenia synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojnë partneritete të reja në sektorë me potencial për investime, me fokus turizmin malor dhe industrinë e përpunimit të drurit.
Në kuadër të MOS Fair 2026, në Celje të Sllovenisë u zhvillua forumi i biznesit “Slovenia–Albania: An Economic Bridge”, ku mori pjesë drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro.
Gjatë forumit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillimin e partneriteteve mes komuniteteve të biznesit të dy vendeve.
Në vijim, Saro zhvilloi një takim me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Punës dhe Sportit të Sllovenisë, Leon Korošec, ku u diskutuan sektorët me potencial për investime në Shqipëri, veçanërisht turizmi malor.
Në takim u nënvizua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit mes AIDA-s dhe SPIRIT Slovenia, ndërsa pala sllovene shprehu gatishmërinë për pjesëmarrje në forume dhe aktivitete që do të zhvillohen në Tiranë.
Në fokus ishte edhe industria e përpunimit të drurit, ku diskutimet u përqendruan te shkëmbimi i njohurive, inovacioni, produktet me vlerë të shtuar dhe potenciali i tregut shqiptar.
Forumi u organizua nga SPIRIT Slovenia dhe Instituti për Zgjidhje Strategjike (ISR), në kuadër të panairit MOS Fair 2026, që zhvillohet në Celje në datat 16–20 shtator.
