Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Në Tiranë zhvilloi punimet Konferenca e 42-të e Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter, me pjesëmarrjen e 235 përfaqësuesve të FBI-së dhe agjencive ligjzbatuese nga Evropa, SHBA dhe më gjerë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, drejtues të agjencive ligjzbatuese, presidenti ndërkombëtar i FBINAA-së dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy Vanhorn.
Kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se bashkëpunimi ndërkufitar kundër krimit të organizuar është thelbësor në një kohë kur krimi po ndryshon vazhdimisht, duke përdorur teknologjinë e fundit të komunikimit dhe transferimit.
Keta tha se krimi i organizuar po përdor teknologjinë, komunikimet e enkriptuara, transfertat financiare ndërkombëtare dhe forma gjithnjë e më të zhvilluara të lëvizjes jashtë kufijve.
“Prandaj, kjo kërkon një bashkërendim me hetuesit, oficerët e Policisë së Shtetit, oficerët ndërlidhës, apo oficerët thjesht. Por, pavarësisht se po përdorim mjete të sofistikuara për t’i hetuar ata, pas çdo hetimi është gjykimi dhe hetimi profesional, dhe këtu është njeriu”, u shpreh Keta.
“Akademia Kombëtare e FBI-së ka kontribuuar shumë edhe te pjesa e trajnimit të Policisë së Shtetit, por edhe te BKH”, vijoi Keta.
Kreu i BKH-së theksoi se “çdo oficer policie që ka marrë pjesë në Akademinë Kombëtare të FBI-së, nuk është thjesht tregues i një gare që kaluan, por është pjesë e një partneriteti të madh global, luftës kundër krimit të organizuar dhe atyre përpjekjeve të përbashkëta”, u shpreh Keta.
Në konferencë marrin pjesë 235 pjesëmarrës, përfaqësues të FBI-së dhe punonjës të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.
