Nis sonte në kryeqytet edicioni i 24-t i Tirana International Film Festival

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tirana International Film Festival (TIFF) zhvillon edicionin e 24-t nga 21 deri më 27 shtator, duke sjellë në kryeqytet një program të gjerë ndërkombëtar me 230 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër.

Edicioni i këtij viti, me temën “Bring It Back! Humanography”, fokusohet te historitë njerëzore, emocionet dhe përvojat e individëve përmes gjuhës së kinemasë.

Edhe për këtë edicion, Agjencia Telegrafike Shqiptare vijon të jetë partner zyrtar i TIFF.

Programi konkurrues i festivalit përfshin filma artistikë debutues dhe dokumentarë, ndërsa konkurrimi i filmave të shkurtër ndahet në kategoritë Live Action, Animation, Documentary, Video Art & Experimental, Student Films, Balkan Shorts dhe In Albanian Shorts.

Përtej konkurrimit, seksioni PANORAMA sjell programe tematike si Generations, New World, Divergent Minds, Parade dhe AI 3.0, i cili i kushtohet formave të reja të tregimit audioviziv.

Një nga pikat kryesore të festivalit është RetrospecTIFF, kushtuar regjisorit italian Luchino Visconti, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë tri filma të njohur të tij: “Ossessione”(1943), “Rocco e i suoi fratelli” (1960) dhe “L’innocente” (1976).

TIFF vijon gjithashtu programet për të rinjtë përmes KIDs & TEENs, me shfaqje të përzgjedhura për fëmijë dhe adoleshentë, si dhe aktivitete edukative dhe votim nga publiku.

Pas ceremonisë së hapjes, festivali do të nisë zyrtarisht me premierën kombëtare të filmit “Mother”, nga regjisorja maqedonase Teona Strugar Mitevska. Filmi, i shfaqur premierë botërore në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 2025, trajton historinë e murgeshës që u shndërrua në ikonën fetare Nënë Tereza.

Në programin e shfaqjeve speciale janë përfshirë edhe “Shame and Money” nga Visar Morina, fitues i Grand Jury Prize në Sundance Film Festival 2026, dokumentari francez “The Bow and the Brush”, si dhe “Live a Little” nga Fanny Ovesen.

Një hapësirë e veçantë i kushtohet kinematografisë shqiptare përmes “Made In ALBANIAn”, me premierat kombëtare të filmave të rinj të prodhuar në Shqipëri dhe Kosovë në gjuhën shqipe.

Festivali do të mbyllet me “Mimoza llastica” të Xhanfise Kekos, film shqiptar i vitit 1973, i restauruar në 4K në bashkëpunim me AQSHF-në dhe i prezantuar si premierë botërore e versionit të restauruar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër