Qefalia: 19 ligje të miratuara në periudhën 2021-2025, pjesa e mbetur mbyllet brenda 2026-ës

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia bëri sot në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale të akteve nënligjore të miratuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë periudhës 2021-2025.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë miratuar gjithsej 19 ligje. Këto përfshijnë ligjin e Policisë së Shtetit, kontrollin e kufirit shtetëror, përpunimin e informacionit, zyrën e rikuperimit të aseteve, armët, inspektimin e ndërtimit, Gardën, të huajt, azilin, shtetësinë, sistemin e adresave, letërnjoftimet dhe prefekturën e qarkut.

“Janë gjithsej 19 ligje të cilat janë miratuar gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga ligji i Policisë së Shtetit, ligji për kontrollin e kufirit shtetëror, përpunimin e informacionit, për zyrën e rikuperimit të aseteve, për armët, për inspektimin e ndërtimit, për gardën, për të huajt, për azilin, për shtetësinë, për sistemin e adresave, për letërnjoftimet, për prefekturën e qarkut. Pra, gjithsej janë 19 ligje”, tha ai.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe programit të qeverisë 2025-2029, zëvendësministri veçoi tre projektligje kryesore.

“Projektligji që ka të bëjë me tregtimin dhe përdorimin e lëndëve eksplozive, është përafrim me standardet e Bashkimit Evropian. Së dyti, kemi projektligjin për disa shtesa për armët, është edhe kjo përafrim me standardet e Bashkimit Evropian. Dhe e treta, në 2027 është parashikuar projektligji për ndalimin e përhapjes së përmbajtjes terroriste online”, tha ai.

Lidhur me aktet që janë ende pa u miratuar, Qefalia sqaroi se vonesat nuk lidhen me mosveprimin e strukturave të ministrisë, por janë kushtëzuar nga nevoja e rakordimit ndërinstitucional, reflektimi i ndryshimeve ligjore në përputhje me aktet bazë dhe marrja e dakordësisë nga institucionet kompetente.

“Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme mbetet përgjegjëse për ndjekjen e akteve të procesit, për koordinimin e institucioneve bashkëpunuese, për përshpejtimin e procedurave të nevojshme me qëllim përmbylljen e detyrimeve brenda afateve të caktuara.  Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me intensitet të trajtojë çdo detyrim të hapur në mënyrë të individualizuar, duke përcaktuar për secilin akt bazë ligjor dhe statusin procedurial”, tha ai.

Sipas planit kalendarik të paraqitur, pjesa më e madhe e akteve të mbetura do të mbyllen brenda vitit 2026, ndërsa procesi do të shtrihet deri në tremujorin e parë të vitit 2027.

“Theksoj këtu që pjesa më e madhe në këtë plan kalendarik që kemi bërë si Ministri e Punëve të Brendshme, pjesa më e madhe mbyllen brenda vitit 2026, duke u shtrirë dhe në tremujorin e parë të vitit 2027”, tha Qefalia.

Sa i përket ligjit për emigracionin dhe hyrje-daljet, zëvendësministri bëri me dije se ato janë pothuajse të përfunduara, me përjashtim të dy rasteve që do të mbyllen brenda muajit tetor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër