Në pothuajse të gjitha komunat e vendit numri i të vdekurve është më i madh se i të lindurve

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator Zhurnal.mk – Edhe një vit me bilanc negativ demografik. Të dhënat statistikore për dy tremujorët e parë të këtij viti tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të fëmijëve të lindur dhe shtim natyror negativ në pothuajse të gjitha komunat e vendit.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në fund të tremujorit të dytë, në pjesën më të madhe të komunave është regjistruar numër më i madh i të vdekurve sesa i të lindurve.

Në tremujorin e dytë të vitit 2026, në vend janë regjistruar 3.684 lindje të gjalla, që paraqet rënie prej 3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shtimi natyror në nivel shtetëror është negativ dhe arrin në minus 1.005 persona.

Shtimi më i madh negativ natyror është regjistruar në Manastir, me minus 118 persona. Pasojnë Aerodromi me minus 62, Kumanova dhe Prilepi me nga minus 59, Gostivari dhe Koçani me nga minus 58, Velesi me minus 57 dhe Ohri me minus 51.

Edhe në kryeqytetin Shkup shtimi natyror është negativ, me minus 36 persona.

Në anën tjetër, në zonën pozitive gjatë tremujorit të dytë është Tetova, ku janë regjistruar 44 lindje më shumë se vdekje, ndërsa Struga ka shënuar shtim pozitiv prej 20 personash.

Në Tetovë, numri i fëmijëve të lindur ka rënë nga 1.025 në vitin 2021 në 822 në vitin 2025. Rënie të ngjashme janë regjistruar edhe në Kumanovë, nga 1.011 në 829 fëmijë, si dhe në Gostivar, Strugë dhe Kërçovë.

Shifra relativisht të qëndrueshme, pa ndryshime të mëdha, janë regjistruar vetëm në Çair dhe Haraçinë.

Megjithatë, trendi pesëvjeçar paraqet një pamje shqetësuese. Për herë të parë në vitin 2025, numri i fëmijëve të lindur në vend ra nën 16 mijë.

Shtimi natyror në tremujorin e dytë të vitit 2026:

Shkup: -36
Manastir: -118
Aerodrom: -62
Kumanovë: -59
Prilep: -59
Gostivar: -58
Koçan: -58
Veles: -57
Ohër: -51

Numri i lindjeve, 2021–2025:

Tetovë: 1.025 → 822
Kumanovë: 1.011 → 829
Çair: 873 → 833
Saraj: 618 → 575
Gostivar: 583 → 440
Strugë: 543 → 474
Kërçovë: 368 → 277
Haraçinë: 254 → 240
Dibër: 169 → 148

Ekspertët theksojnë se këto shifra janë rezultat i disa faktorëve, ndër të cilët shtyrja e krijimit të familjes për arsye ekonomike, si dhe plakja e përgjithshme e popullsisë.

Por, sipas ish-drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski, shkaku kryesor i këtyre zhvillimeve janë migrimet.

Statistikat japin një sinjal të qartë se, pa masa konkrete për mbështetjen e të rinjve dhe një strategji demografike, vendi do të vazhdojë të humbasë breza të tërë, gjë që në afat të gjatë do të sjellë më pak nxënës në shkolla dhe zbrazjen e vendbanimeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër