Granit Osmani: BDI-ja s’ka të drejtë ta përdorë emrin e UÇK-së për interesat e veta politike

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 shtator Zhurnal.mk – Ish luftëtari i UÇK-së, Granit Osmani, ka reaguar lidhur me protestën për krerët e UÇK-së, duke theksuar se qëndrimi i tij ndaj kauzës nuk ka ndryshuar, por se kundërshton përdorimin e saj për interesa partiake.

Osmani thotë se fillimisht kishte bërë thirrje për mbështetje masive të protestës, por pasi, sipas tij, u bë e qartë se pas organizimit qëndronte një subjekt politik, ai tërhoqi mbështetjen për atë organizim.

“UÇK-ja nuk është pronë e BDI-së. Bashkëluftëtarët nuk janë dekor për mbijetesën politike të askujt. As vuajtja e tyre nuk mund të shndërrohet në kapital politik”, shprehet Osmani.

Ai thekson se ka marrë pjesë në marshin në mbështetje të krerëve të UÇK-së për shkak të kauzës dhe jo për ndonjë agjendë partiake.

“Kam qenë në luftë. Jam invalid lufte. E di çfarë do të thotë sakrifica dhe e di shumë mirë dallimin mes luftës për një kauzë dhe luftës për një parti”, shprehet ai.

Osmani u është përgjigjur edhe kritikave nga BDI-ja dhe portalet që ai i quan të afërta me këtë parti.

“BDI-ja dhe portalet e saj le të mos tentojnë të më mësojnë mua se çfarë është patriotizmi dhe çfarë është besnikëria ndaj UÇK-së”, ka thënë Osmani.

Në fund, ai ka bërë të qartë se do të vazhdojë të mbështesë kauzën dhe bashkëluftëtarët, por jo përdorimin e emrit të UÇK-së për interesa politike.

“Kauzën do ta mbështes. Bashkëluftëtarët do t’i mbështes. Por asnjë parti nuk do të ketë të drejtë ta përdorë emrin e UÇK-së si mburojë për interesat e veta politike”, shkruan Osmani duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Liri për çlirimtarët”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër