Sulmi në Ibër-Lepenc, sot sërish para gjykatës vëllezërit Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Gjykimi ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, pritet të vazhdojë sot, më 29 shtator, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin që lidhet me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje. Jovan Viqentijeviq ngarkohet edhe me spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Sipas aktakuzës, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ndërsa Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin.

Sulmi dëmtoi infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi furnizimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, rrjedhimisht edhe prodhimin e energjisë elektrike.

Një nga provat ku mbështetet prokuroria është ekzaminimi krahasues i dheut të gjetur në çizmet e sekuestruara dhe mostrave të marra pranë vendit të shpërthimit. Sipas përshkrimit në aktakuzë, në këtë ekzaminim janë përfshirë edhe ekspertë të FBI-së amerikane.

Prokuroria pretendon se ngjashmëria ndërmjet mostrave i lidh vëllezërit Viqentijeviq me vendin e ngjarjes. Vlerësimi i kësaj prove dhe i provave të tjera mbetet çështje e shqyrtimit gjyqësor.

Në pjesën e aktakuzës për spiunazh, Jovan Viqentijeviq pretendohet se kishte vepruar për shërbimin informativ ushtarak të Serbisë, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara.

Dosja përmend një dokument 66-faqësh të KFOR-it, vëzhgimin e ushtarakëve amerikanë të këtij misioni dhe fotografimin e bazës së Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut.

Në seancën e 9 korrikut 2026 ishin dhënë fjalët hyrëse. Çështjen nga ana e Prokurorisë Speciale e përfaqëson prokurori Bekim Kodraliu.

Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër