Stop për femicidin: Përgjegjësi e përbashkët për mbrojtjen e grave

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 shtator, Zhurnal.mk – Dita e dytë e Konferencës Rajonale për femicid në Evropën Juglindore, e cila po mbahet në Kuvend, vazhdoi me vështrim mbi temat kyçe dhe përfundimet nga dita e parë e konferencës.

Në pjesën hyrëse, Diana Zhupanoska, oficere kombëtare për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Misionin e OSBE-së në Shkup, dhe Urania Pirovska, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Helsinkian për të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut, u ndalën mbi rolin e organizatave qytetare në parandalimin dhe përballimin e femicidit, rëndësinë e debatit mbikëqyrës dhe nevojën për funksionim efikas të trupave multisektoriale.

Fokus i veçantë në vazhdim të konferencës u vendos mbi standardet operative për identifikimin dhe hetimin e vrasjeve të lidhura me gjininë. Në panel-diskutimin morën pjesë Xhema Nikolas, anëtare e Bordit të drejtorëve të Platformës së unifikuar kundër dhunës me bazë gjinore nga Spanja, e cila u përfshi online, Ivanka Markoviq, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Srpska dhe profesoreshë e rregullt e së drejtës penale dhe së drejtës së procedurës penale në Universitetin e Banja Lukës, Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe Sanja Stankoviq, këshilltare e lartë pranë Komisionariatit për mbrojtjen e barazisë në Serbi.

Paneli u moderua nga Milica Stojanoviq, oficere e lartë ligjore në Praninë e OSBE-së në Shqipëri.

Në kuadër të diskutimit u shqyrtuan aspektet praktike të njohjes së lidhjes gjinore te vrasjet e grave, nevoja për hetim të duhur dhe dokumentim të rasteve, mundësimi i ndihmës juridike falas, si dhe rëndësia e zbatimit të standardeve operative të qarta dhe të harmonizuara nga ana e institucioneve.

Paneli i dytë i diskutimit iu kushtua standardeve operative për mbledhjen e të dhënave për femicid. Mbi këtë temë folën Dubravka Shimonoviq, ish-raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara për dhunën ndaj grave dhe vajzave, Brunilda Dervishaj, ndihmës-komisionere e Departamentit të Përgjithshëm dhe eksperte tematike për femicid në Observatorin e femicidit në Shqipëri, Adelina Berisha, drejtoreshë programore për përballimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës nga Prishtina, dhe Biljana Nastovska, bashkëpunëtore e jashtme e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Paneli u moderua nga Zhaneta Poposka, oficere kombëtare për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Misionin e OSBE-së në Shkup.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi rëndësinë e mbledhjes cilësore dhe të sistematizuar të të dhënave për femicid, si bazë për kuptim më të mirë të dukurisë, krijim të politikave efektive dhe përmirësim të përgjigjes institucionale. U theksua edhe nevoja për vendosjen e metodologjive dhe standardeve të harmonizuara që do të mundësojnë të dhëna të krahasueshme dhe relevante në vendet e rajonit.

Në pjesën përmbyllëse të konferencës u prezantuan përfundimet, rekomandimet dhe hapat e ardhshëm, me ç’rast u përmbyllën diskutimet dyditore të kushtuara për përmirësimin e përgjigjes institucionale dhe shoqërore ndaj femicidit.

Diana Zhupanoska, oficere kombëtare për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Misionin e OSBE-së në Shkup, dhe Elmaja Bavçiç, këshilltare për barazinë gjinore në Sekretariatin e OSBE-së, i theksuan pikat kyçe të konferencës. Ndër to ishin nevoja për trajnim të prokurorëve publikë dhe aktorëve të tjerë për njohje me kohë të motivit të bazuar në gjini që në fazën fillestare të procedurës, si dhe përmirësimi i vlerësimit të rrezikut. U nënvizua edhe nevoja për praktika gjithëpërfshirëse për mbështetje dhe mbrojtje të fëmijëve të prekur nga rastet e femicidit.

Si sfidë e rëndësishme u përmend nevoja për analiza më të detajuara të rasteve, duke pasur parasysh se analizat që mbështeten vetëm në raportet mediatike nuk ofrojnë pamje të plotë. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e të dhënave cilësore dhe bashkëpunimit më të madh ndërmjet institucioneve.

Konferencën e mbylli Suzan Penksa, zëvendës-shefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, e cila theksoi rëndësinë e konferencave të tilla dhe shkëmbimit të ekspertizës së larmishme. Ajo veçoi katër fushat kyçe për veprim të mëtejshëm: njohje me kohë e motivit të bazuar në gjini dhe përcaktim i mangësive në sistem, zbatim efektiv i legjislacionit, përmirësim i të dhënave dhe përdorimi i tyre për identifikim të mangësive, si dhe përgjigje institucionale efikase dhe vullnet politik.

“Rekomandimet do të na japin bazë për punën tonë të mëtejshme në nivel kombëtar. Nga të gjithë ne varet si do të veprojmë dhe si do ta zbatojmë gjithçka që e shkëmbyem gjatë këtyre dy ditëve”, ishte mesazhi në përmbyllje të konferencës.

Konferenca rajonale dyditore mundësoi shkëmbim të përvojave, praktikave dhe rekomandimeve nga vendet e Evropës Juglindore, me qëllim përmirësimin e parandalimit, identifikimit, hetimit dhe dokumentimit të femicidit dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër