Mucunski në “Dialogët Evropianë”: Zgjerimi i BE-së është investim strategjik në sigurinë, forcën dhe të ardhmen e Evropës

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme, Timço Mucunski, dje u drejtua në hapjen e edicionit të ri nga cikli “Dialogët Evropianë”, në organizim të Ambasadës së Francës dhe Institutit Francez, si pjesë e programit “Horizonte të përbashkëta”, të dedikuar forcimit të dialogut mes të rinjve nga Ballkani Perëndimor në kontekst të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në fjalimin e tij, Mucunski theksoi se në kohë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, sfidave ekonomike dhe transformimit të përshpejtuar teknologjik, Evropa ka nevojë për përgjigje të reja, ide të reja dhe partneritete më të forta, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të të rinjve në formësimin e së ardhmes së kontinentit.

“Idetë tuaja, energjia juaj dhe guximi juaj për t’i rishqyrtuar supozimet e vjetra janë të domosdoshme që Evropa të bëhet më e bashkuar, më e qëndrueshme dhe më e aftë për t’i mbrojtur interesat dhe vlerat e saj në një botë që shpejt ndryshon”, tha Mucunski.

Duke u ndalur në procesin e zgjerimit, ministri theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor është pjesë e vizionit më të gjerë për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt.

“Sot zgjerimi nuk është më vetëm investim në stabilitetin e rajonit tonë. Ai është investim strategjik i Evropës në sigurinë, forcën dhe të ardhmen e vet”, theksoi Mucunski.

Ai përsëriti se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet përcaktim strategjik i shtetit, duke nënvizuar se procesi i pranimit duhet të ketë rol të qartë transformues.

“Procesi i pranimit duhet ta transformojë shoqërinë tonë, t’i forcojë institucionet tona dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët tanë. Ai nuk duhet ta transformojë identitetin tonë kombëtar. Besoj në një Evropë në të cilën identiteti evropian dhe kombëtar plotësohen dhe forcohen mes vete”, theksoi ministri.

Në atë kontekst, Mucunski vuri në dukje se perspektiva evropiane duhet të mbetet kredibile, e parashikueshme dhe e bazuar mbi merita, ku përparimi duhet të varet nga reformat, rezultatet dhe përmbushja e kritereve evropiane.

“Vetëm kështu mund ta ruajmë besimin në procesin e zgjerimit dhe në fuqinë transformuese të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Duke folur për trashëgiminë e përbashkët evropiane dhe çështjet historike, Mucunski theksoi se Evropa ka përparuar atëherë kur ka arritur t’i kapërcejë ndarjet nga e kaluara dhe ta vendosë të ardhmen e përbashkët para mosmarrëveshjeve historike.

“Pyetja e vërtetë është nëse do të lejojmë që interpretimet e ndryshme të së kaluarës ta kufizojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe edhe më me rëndësi, nëse do të lejojmë që barrën e çështjeve të pazgjidhura nga e kaluara ta mbajnë gjeneratat që nuk kanë asnjë përgjegjësi për to”, tha Mucunski.

Në fund të fjalimit, ministri e potencoi rolin e të rinjve në krijimin e një Evrope të bazuar mbi paqe, solidaritet dhe respekt të ndërsjellë.

“Të rinjtë e meritojnë një Evropë në të cilën kufijtë nënkuptojnë më pak, mundësitë nënkuptojnë më shumë, ndërsa identiteti dhe dallimet respektohen. Një Evropë që nuk frikësohet nga dallimet e veta, por i shndërron ato në forcë”, theksoi Mucunski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër