Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional sipas fushave dhe veprimtarive të veçanta të kulturës për vitin 2027 hapen sot (në orën 12:00) dhe do të zgjasin deri më 31 tetor, deri në orën 15:30.
“Këto konkurse do të mbështesin projektet që pasurojnë ofertën kulturore, krijojnë hapësirë për shprehje të reja kreative dhe kontribuojnë në dukshmërinë ndërkombëtare të kulturës vendase. Shprehim pritshmërinë tonë të sinqertë se edhe këtë vit artistët, shoqatat dhe organizatat kulturore do të tregojnë interes të lartë dhe gatishmëri profesionale, duke konfirmuar dinamizmin dhe pjekurinë e skenës sonë kulturore”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Ai bëri të ditur se aplikimi për të gjitha fushat bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike përmes Portalit Kombëtar për e-shërbime (uslugi.gov.mk), ndërsa aplikimet në formë të shtypur apo përmes postës nuk do të merren parasysh.
Sa i përket pragut të cilësisë, ruhet pragu minimal prej 40 pikësh (nga gjithsej 100) për të marrë mbështetje financiare.
Pjesë e rregullave tashmë të njohura për aplikuesit është edhe ekzistenca e një sistemi të unifikuar pikëzimi: deri në 70 pikë për cilësinë e përmbajtjes, deri në 15 pikë për burimet njerëzore dhe deri në 15 pikë për arsyetimin financiar. Po ashtu, ruhen kufizimet e aplikimit (deri në 4 projekte për personat juridikë dhe deri në 2 për personat fizikë), me qëllim që të nxitet cilësia para kuantitetit.
Ministri Sulejmani bëri të ditur se në kuadër të me këtë konkurs do t’u jepet përparësi e qartë projekteve serioze, të mirëmenduara dhe të qëndrueshme që kanë kapacitet të lënë gjurmë të përhershme, qoftë përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar apo zhvillimit të publikut të ri.
“Përveç kësaj, me interes të veçantë presim projekte që do të realizohen në zonat kufitare. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e iniciativave më të vogla. Ato do të vazhdojnë të kenë vendin e tyre, veçanërisht kur tregojnë cilësi të lartë artistike, inovacion dhe lidhje të qartë me komunitetet lokale”, shtoi Sulejmani.
