Spoti i Don Xhonit detyroi të jap dorëheqje drejtori i “Makedoniumit”

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Drejtori i Institucionit Kombëtar Muzeu Historik në Krushevë, Miha Oxhaklieski, sot ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra, duke theksuar se vendimi është një akt personal, moral dhe etik, si dhe shprehje e përgjegjësisë ndaj institucionit dhe publikut.

Dorëheqja e Oxhaklieskit vjen pas reagimeve në opinion lidhur me xhirimin e videoklipit “Sexy Mama” nga reperi kosovar Don Xhoni, brenda monumentit “Makedonium” në Krushevë, i cili është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit.

Në dorëheqjen e tij, Oxhaklieskit thekson se në rastin konkret nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër, dhe as nuk është vepruar në kundërshtim me ndonjë vendim të miratuar nga Bordi Drejtues i institucionit. Sipas tij, bëhet fjalë për një procedurë që ishte pjesë e një praktike tashmë të vendosur dhe të zbatuar më parë në institucion.

Megjithatë, siç thekson ai, drejtimi i një institucioni publik nënkupton përgjegjësi që nuk kufizohet vetëm në respektimin e normave ligjore, por kërkon edhe standarde të larta morale dhe etike, veçanërisht kur bëhet fjalë për besimin e publikut.

“Edhe pse nuk ka pasur qëllim për të shkelur ligjin, rregulloren apo ndonjë vendim, është bërë një lëshim i paqëllimshëm në vlerësimin e mënyrës se si një procedurë e caktuar mund të kuptohet nga publiku. Për këtë ndiej përgjegjësi morale dhe për këtë arsye e paraqes dorëheqjen”, thuhet në dorëheqjen e Oxhaklieskit.

Ai i ka kërkuar gjithashtu falje publikut për paqartësinë e krijuar dhe për lëshimin e paqëllimshëm, duke theksuar se kërkesa për falje është shprehje e respektit ndaj qytetarëve dhe institucionit të cilit i ka shërbyer.

“Muzeu Historik Kombëtar – Krushevë është një institucion me rëndësi të veçantë për kujtesën tonë kulturore dhe historike. Reputacioni i tij dhe besimi i publikut janë më të mëdha se çdo funksion dhe çdo individ që për një periudhë të caktuar e ushtron atë funksion”, thuhet në dorëheqje.

Oxhaklieski thekson se dorëheqjen e paraqet me ndërgjegje të pastër sa i përket përgjegjësisë ligjore, por me vetëdije të plotë për përgjegjësinë morale që mbart pozita e drejtorit të një institucioni publik.

Me këtë akt, siç thekson ai, i jep përparësi reputacionit dhe interesit të institucionit, përpara mbajtjes personale të detyrës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër