Shkup, 1 tetor Zhurnal.mk – Qeveria planifikon rishikim të dytë të buxhetit brenda pak muajve, me arsyetimin se ulja e akcizës dhe TVSH-së për derivatet e naftës ka shkaktuar në arkën shtetërore vrimë prej 7 miliardë denarësh. Sipas ekspertëve para se të ndodh kjo duhet të bëhet e qartë se cilat janë arsyet konkrete që kanë çuar në nevojën për rishikim dhe si do të mbulohen nevojat shtesë. Ekonomisti Borçe Trenkovski thotë se çdo prekje e arkës së shtetit duhet të bëhet në mënyrë transparente.
“Apeloj që rishikimi i dytë i buxhetit të jetë një proces transparent. Me të duhet të bëhen dy gjëra: së pari, të shqyrtohet saktësisht për cilat arsye ka nevojë për rishikim dhe publiku të marrë informacione konkrete; dhe së dyti, të përcaktohet mënyra se si do të mbulohet hendeku që është shfaqur. Varianti më i mirë do të ishte rritja e efikasitetit të shpenzimeve, si dhe mobilizimi shtesë i të ardhurave, aty ku është e mundur. Në të njëjtën kohë, duhet të shohim se sa mund të reduktohen shpenzimet kapitale, por ato duhet të mbrohen, dhe nga ana tjetër duhet të kemi kujdes që të mos rrisim më tej deficitin”, tha Borçe Trenovski Ekonomist.
Ndërkohë zv.koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Fatmir Bytyqit në intervistën në Alsat tha se dëmi është shkaktuar për shkak të planifikimit të dobët dhe të ardhurave të ulëta në buxhet dhe jo për shkak të akcizës. mbetet e paqartë si u shkaktua dëmi në buxhet kur akciza nuk pësoi ulje në muajt e parë të vitit.
Mundësinë e rishikimit të buxhetit një ditë më parë e paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij synimi është ruajtja e stabilitetit ekonomik.
