Minçev në vizitë në Shkollën Kombëtare italiane për Administratë Publike: Fokus te Akademia e re dhe bashkëpunimi me SNA

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Krijimi i një sistemi modern për zhvillim profesional të nëpunësve administrativë, zhvillimi i një gjenerate të re drejtuesish dhe vendosja e një institucioni të fortë për trajnim dhe zhvillim të administratës ishin në fokus të vizitës së punës së ministrit për administratë publike, Goran Minçev, në Shkollën Kombëtare për Administratë Publike të Italisë – SNA.

Në takimin me presidentin e shkollës kombëtare për administratë publike, prof. Gennaro Terraciano, ministri Minçev bisedoi për mundësi konkrete për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, veçanërisht në prag të vendosjes së Akademisë për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë në Maqedoni.

Shkolla Kombëtare për Administratë Publike e Italisë – SNA është institucion i Presidencës së Këshillit të Ministrave të Italisë, me rol të rëndësishëm në rekrutimin dhe trajnimin e nëpunësve shtetërorë dhe drejtuesve, si dhe në kërkimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të administratës publike.

Në fokusin e bisedës ishte vendosja e një kanali institucional direkt për bashkëpunim mes SNA dhe Akademisë së ardhshme për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë.

“Për ne, Akademia nuk është vetëm një institucion i ri, por një qasje e re ndaj zhvillimit profesional të administratës. Po e vendosim sistemin në të cilin dija, kompetencat dhe përmirësimi i vazhdueshëm bëhen themel i administratës moderne publike. Pikërisht për këtë na është e rëndësishme të mësojmë nga përvojat e institucioneve si SNA, të cilat kanë përvojë shumëvjeçare në zhvillimin e kuadrit administrativ dhe drejtues.” – theksoi ministri Minçev.

Ligji për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë u miratua në vitin 2025 dhe paraqet bazë për formimin e Akademisë si organ në përbërje në kuadër të Ministrisë për administratë publike, e cila fillon punën në janar 2027.

Akademia do të vendosë sistem në të cilin trajnimet do të planifikohen mbi bazën e nevojave reale të institucioneve, nëpunësit e rinj do të kalojnë trajnim fillestar të detyrueshëm dhe provim, ndërsa kuadri drejtues do të ketë detyrim për përmirësim profesional pas avancimit. Sistemi parashikon edhe status të rregulluar të trajnerëve, bazë të trajnerëve, vlerësim të programeve dhe trajnerëve, si dhe veprimtari kërkimore dhe analitike.

“Me këtë po vendosim mekanizëm institucional që deri tani mungonte – sistematikisht të planifikohet, të zbatohet dhe të matet zhvillimi profesional i nëpunësve administrativë. Nuk duam që trajnimet të jenë vetëm përmbushje formale e një detyrimi. Duam ato të krijojnë dije dhe kompetenca që drejtpërdrejt do të përkthehen në punë më të mirë të institucioneve dhe shërbime më të mira për qytetarët.” – porositi Minçev.

Ministri Minçev prezantoi edhe mënyrën e re për emërimin dhe caktimin e drejtuesve të lartë në sektorin publik, të përcaktuar me Ligjin e sapomiratuar për drejtuesit e lartë, dhe shprehu interes për shkëmbim përvojash me SNA lidhur me përcaktimin e kompetencave drejtuese dhe planifikimin e programeve të trajnimit për drejtuesit.

Në takim u shqyrtuan edhe mundësi konkrete për bashkëpunim përmes shkëmbimit të programeve dhe metodologjive të specializuara, trajnerëve dhe ekspertëve, vizitave studimore, kërkimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e zhvillimit të drejtuesve të lartë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër