Çfarë mesazhi sjell Ursula von der Leyen në Shkup? Reformat dhe vetoja bullgare në fokus

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Shkup, në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku në fokus janë reformat dhe hapat e ardhshëm drejt integrimit evropian.

Pas vizitave në Kosovë dhe Mal të Zi, mesazhet e saj kanë qenë të ndryshme, në varësi të fazës së procesit në të cilën ndodhet secili vend. Për Malin e Zi, fokusi është vendosur te përfundimi i negociatave, ndërsa në Kosovë te stabiliteti institucional dhe reformat.

Në Shkup, pritshmëria është që në qendër të bisedimeve me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski të jenë reformat, procesi i integrimit gradual në BE dhe çështjet që lidhen me hapjen e negociatave.

Maqedonia e Veriut ka përfunduar procesin e skriningut, ndërsa Komisioni Evropian ka theksuar nevojën për hapa të mëtejshëm në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe ndryshimet kushtetuese të kërkuara në kuadër të procesit të negociatave.

Një tjetër çështje që mund të jetë pjesë e diskutimeve është reforma e mënyrës së vendimmarrjes brenda BE-së. Brukseli po shqyrton propozime për përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar në disa fusha, përfshirë faza të procesit të zgjerimit. Këto ide synojnë të shmangin bllokimet nga vetoja e një shteti anëtar, por propozimet ende nuk janë vendosur përfundimisht.

Për Maqedoninë e Veriut, një ndryshim i tillë do të kishte rëndësi të veçantë, pasi procesi i anëtarësimit aktualisht kërkon marrëveshje nga të gjitha shtetet anëtare në fazat përkatëse dhe vendi duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara në kuadrin negociues.

Komisioni Evropian ndërkohë e ka vendosur integrimin gradual të vendeve kandidate si një nga instrumentet e procesit të zgjerimit, duke synuar që vendet të përfitojnë më shumë nga tregu dhe programet e BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.

Vizita e von der Leyen në Shkup vjen në një moment kur BE-ja po diskuton edhe reformimin e vetë procesit të zgjerimit. Prandaj, për Maqedoninë e Veriut, përveç mesazheve për reforma, në fokus pritet të jetë edhe pyetja nëse ndryshimet e paralajmëruara në mënyrën e vendimmarrjes mund të ndikojnë në tejkalimin e bllokimeve në rrugën drejt BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër