Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se mazhoranca do të votojë draftin e propozuar prej saj për ndryshimet në hartën administrative-territoriale, të cilat parashikojnë uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Gjatë një deklarate për mediet nga kryesia e Kuvendit, Balla u shpreh se vendi ka nevojë për reforma të thella dhe të rëndësishme për të ndërtuar bashki konkurruese, me synim përfitimin e sa më shumë fondeve nga Bashkimi Evropian dhe përgatitjen e pushtetit vendor për anëtarësimin në BE.
Sa i takon protestuesve të mbledhur jashtë Kuvendit, ai tha se ata janë punonjës të bashkive që do të bashkohen, teksa theksoi se reforma do të ofrojë më shumë mundësi dhe investime edhe në zonat që nuk do të jenë më bashki.
Lidhur me propozimin e PD-së, sipas Ballës, opozita duhet ta paraqesë për konsultim draftin e propozuar, pasi kështu funksionon procedura ligjore parlamentare dhe pastaj e kalojmë në komision për diskutim dhe me radhë. Ai theksoi se në procesin që po ndjek mazhoranca nuk ka asgjë antikushtetuese.
Sipas PS-së, struktura e re territoriale do të përbëhet nga 46 bashki, nga 61 që janë aktualisht, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Ndërkohë, 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
