Policia e Kumanovës me aksion parandalues: “Nëse vozit, mos pi” (FOTO)

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, përmes Njësisë për Parandalim, në bashkëpunim me Stacionin Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe Këshillin Komunal për Parandalim, realizoi një aktivitet parandalues në komunikacion nën moton “Nëse vozit, mos pi”. Aksioni ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së drejtuesve të automjeteve për rreziqet e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit, por edhe për respektimin e rregullave të komunikacionit, veçanërisht kufizimeve të shpejtësisë.

Në kuadër të aktivitetit u përfshinë edhe shoferët fillestarë, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, të cilët me mosrespektimin e rregullave dhe drejtimin e papërgjegjshëm të automjeteve mund të rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

Për nevojat e aksionit u përdorën të ashtuquajturat “syze të dehjes”, përmes të cilave pjesëmarrësve iu demonstrua se si duket gjendja e një personi nën ndikimin e alkoolit. Syzet simulojnë shikim të turbullt, përqendrim të zvogëluar dhe pamundësi për të vlerësuar drejt distancën – gjendje që mund të ndikojnë seriozisht në aftësinë për drejtimin e sigurt të automjetit.

Shefja e Njësisë për Parandalim, Lile Mladenovska, u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që t’u përmbahen rreptësishtë detyrimeve ligjore dhe të mos drejtojnë automjet nëse kanë konsumuar alkool.

“Apeloj deri te të gjithë shoferët që t’u përmbahen në mënyrë rigoroze detyrimeve ligjore, të mos konsumojnë alkool dhe të drejtojnë automjet, të kenë kujdes nga drejtimi i pakujdesshëm i automjetit, përkatësisht tejkalimi i shpejtësisë së lejuar sipas shenjave të komunikacionit. Shoferët fillestarë të mos drejtojnë automjet pa shoqërues nga ora 23:00 deri në 05:00. Në të kundërtën, secili do të mbajë përgjegjësi sipas Kodit Penal dhe Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor. Nuk do të ketë tolerancë për drejtues të tillë, të cilët janë shkaktarë të aksidenteve në komunikacion me pasoja të rënda dhe humbje jete”, tha Mladenovska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër