Londër, 07 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri britanik Andy Burnham siguroi sot komunitetin hebre në Britani të Madhe, se qeveria qëndron në krah të tij, në luftën kundër antisemitizmit, në përvjetorin e tretë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.
Burnham e cilësoi si “shqetësues” rritjen e rasteve të antisemitizmit në Britani të Madhe që nga viti 2023.
Ai tha se qeveria e tij është e angazhuar të mbrojë qytetarët nga “urrejtja e neveritshme”.
“Tre vjet pas sulmeve të 7 tetorit, njerëzit që u vranë nga militantët e Hamasit duhet të kujtohen “, tha Burnham.
Ai tha se pasojat e sulmeve nuk janë ndjerë vetëm në Izrael, por edhe në komunitetet hebreje në të gjithë botën.
“Ne kemi parë një rritje shqetësuese të antisemitizmit në Britani të Madhe”, tha ai.
“Ne qëndrojmë në krah të komunitetit hebre. Abuzimi dhe dhuna ndaj jush, në çfarëdo forme, nuk do të tolerohen. Jo në rrugët tona, jo në internet, jo në shkollat apo universitetet tona”, tha Burnham.
Ai tha se qeveria po financon masa sigurie për sinagogat, shkollat dhe ndërtesat e komunitetit hebre dhe se do të marrë masa të rrepta kundër antisemitizmit.
Burnham tha gjithashtu se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë një zgjidhje me dy shtete, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe siguri.
Të dhënat e publikuara në gusht nga Organizata për Sigurinë e Komunitetit (CST) që monitoron antisemitizmin, treguan se rastet e antisemitizmit në BM u rritën ndjeshëm.
Sipas saj, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, u regjistruan 1,926 incidente antisemitike në të gjithë Britaninë e Madhe. Kjo ishte 20% më shumë se në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar.
Ky ishte numri i dytë më i lartë i rasteve të regjistruara nga kjo organizatë në gjashtëmujorin e parë të një viti. Shifra më e lartë ishte 2,019 raste në gjysmën e parë të vitit 2024, pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit 2023 dhe luftës që Izraeli nisi më pas në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila është pjesë e qeverisë së drejtuar nga Hamasi, numri i palestinezëve të vrarë gjatë tre viteve të fundit ka kaluar 74 000.
