Shkup, 9 tetor, Zhurnal.mk – Gjykata Themelore në Kumanovë sot e shqiptoi aktgjykimin për Trajko Bojkovskin, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje të grave në rajonin e Nagoriçanit të Vjetër. Gjykata e dënoi Bojkovskin me burgim të përjetshëm, me çka përfundoi procedura gjyqësore e shkallës së parë, e cila shkaktoi interesim të madh në opinionin publik.
Në seancën për fjalët përfundimtare, të mbajtur më 6 tetor, prokurori publik Ljubomir Lape kërkoi dënimin më të rëndë, duke theksuar se veprat ishin kryer në mënyrë të ngjashme, ndërsa si prova kyçe u veçuan gjurmët e ADN-së të gjetura te viktimat dhe të mbijetuarat.
Prokuroria, në fjalët përfundimtare, iu referua edhe ekspertizës psikiatrike.
„Sipas ekspertizës psikiatrike, ekziston rrezik i lartë që i akuzuari të kryejë përsëri vepra penale, si dhe pengesa serioze për risocializimin e tij“, theksuan nga prokuroria, duke nënvizuar se këto gjetje janë argument shtesë për dënimin me burgim të përjetshëm.
Nga ana tjetër, mbrojtja, e përfaqësuar nga avokati Toni Cvetkovski, i cili i është caktuar sipas detyrës zyrtare, kërkoi nga gjykata që gjatë caktimit të dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese.
