Shkup, 10 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se, pas vitesh të tëra neglizhence dhe degradimi, do të rikthehen në funksion luleshitoret e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” – “Roza”, në bulevardin “Ilinden”, përballë fontanës “Lotos”, si dhe luleshitoreja pranë Ministrisë së Ekonomisë.
“Shkupi i kujton vendet ku nisnin momentet e bukura. Luleshitoret e qytetit ishin pjesë e këtyre kujtimeve. Aty, të sapomartuarit zgjidhnin buqetat për ditën më të rëndësishme të jetës së tyre, ndërsa blihej lule për urime, mirënjohje dhe për të sjellë gëzim në shtëpitë e njerëzve. Ishin vende të vogla me rëndësi të madhe për shumë breza shkupjanësh.
Pikërisht për këtë arsye, po i rikthejmë në funksion. Tashmë kanë filluar aktivitetet për rikonstruksionin e tyre të plotë, në mënyrë që ato të bëhen sërish hapësira të rregulluara, të këndshme dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.
Kemi detyrim të kujdesemi për atë që kemi trashëguar, t’i japim vlerë të re dhe t’ua lëmë me krenari brezave që vijnë. Çdo hapësirë e rinovuar është një pjesë tjetër e qytetit tonë që ruhet”, deklaroi Gjorgjievski.
Kryetari i Shkupit theksoi se lulet dhe shërbimet do të ofrohen me çmime sa më të përballueshme dhe të drejta, sepse një gjest i bukur duhet të jetë i mundur për secilin.
