Intervistë, Bozhinovska: E nisëm nga zeroja, tani jemi të lidhur me gaz me Greqinë dhe Serbinë, investojmë në MEPSO dhe po ndërtojmë interkoneksionin me Shqipërinë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Lidhjet e reja të gazit me Greqinë dhe Serbinë, investimet në MEPSO, interkoneksioni me Shqipërinë, planifikimi i kapaciteteve energjetike dhe mbështetja për familjet në nevojë janë ndër prioritetet e Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale. Gjatë shtatorit dhe fillimit të tetorit, këto aktivitete morën edhe një dimension të rëndësishëm ndërkombëtar, përmes përfshirjes në Korridorin Vertikal të Gazit dhe bashkëpunimit ministror në rajon. Në intervistë, ministrja Sanja Bozhinovska flet për përfitimet nga këto projekte, ligjet e reja, kompetencat e institucioneve dhe vlerën ekonomike të burimeve vendore. Ajo ndalet edhe te krijimi i Ministrisë nga fillimi, si dhe te kritikat me të cilat partia E Majta (Levica) e arsyeton interpelancën që pritet të jetë në rend dite në fund të këtij muaji.

Gjatë muajit të kaluar keni qenë aktive si në vend, ashtu edhe në takimet rajonale për energjetikën. Cilat rezultate konkrete do të veçonit dhe çfarë do të nënkuptojnë ato për qytetarët dhe kompanitë?

– Më e rëndësishmja është se njëkohësisht po punojmë në infrastrukturë, rregullat për investime dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për qytetarët. Lidhjet e reja energjetike duhet të sigurojnë më shumë mundësi furnizimi, rrjeti më i fuqishëm të mbështesë zhvillimin ekonomik, ndërsa programet për konsumatorët në nevojë t’u ndihmojnë familjeve për të cilat shpenzimet e energjisë paraqesin barrën më të madhe. Në shtator, në Selanik, e formalizuam përfshirjen në Korridorin Vertikal të Gazit. Së bashku me Serbinë, po bëhemi pjesë e një kornize më të gjerë rajonale që lidh sistemet e gazit të nëntë shteteve. Kjo është e rëndësishme, sepse interkonektorët tanë marrin një funksion më të gjerë evropian: mundësojnë qasje në burime të reja dhe krijojnë mundësi që Maqedonia të marrë pjesë edhe në tranzitin e gazit. Në fillim të tetorit, në Beograd, vazhduam me takimin e dytë ministror të Maqedonisë, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Ky format katërpalësh, i nisur në maj, vendos bashkëpunim të rregullt ndërmjet dy vendeve anëtare të BE-së dhe dy vendeve kandidate. Diskutimet i lidhim me detyrat konkrete të operatorëve, afatet e projekteve dhe mbështetjen që na nevojitet për integrimin energjetik evropian. Në planin e brendshëm, do të veçoja zgjidhjen e çështjes së kahershme pronësore të nënstacionit elektrik në Dubrovë. Me iniciativën time e intensifikuam koordinimin ndërmjet institucioneve kompetente dhe MEPSO-s, ndërsa objektet janë regjistruar në pronësi të kompanisë. Me këtë sigurohet një bazë më e fortë juridike për investimet në këtë pjesë të rëndësishme të rrjetit të transmetimit. Në shtator publikuam edhe mbi 500 vauçerë të rinj për kondicionerë inverter për kategoritë e përfshira në programin e mbështetjes. Këta vauçerë vijnë pas shpërndarjes së 4.070 vauçerëve sipas thirrjes së mëparshme, të cilën po e zbatojmë këtë vit. Paralelisht, po i vlerësojmë iniciativat për objekte të reja energjetike dhe po punojmë në zgjidhjet ligjore për gjeologjinë dhe minierat. Në secilën prej këtyre fushave, synimi është që rezultatet të kenë vlerë praktike: furnizim më të sigurt, kushte të parashikueshme për ekonominë dhe mbështetje që arrin te qytetarët.

Në opinionin publik shpesh ngatërrohen kompetencat e Ministrisë, ESM-së, MEPSO-s, NOMAGAS-it dhe KRRE-së. Ku qëndron përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe pse është i rëndësishëm ky dallim?

– Ndarja e kompetencave është përcaktuar me ligj dhe duhet të respektohet. Ministria përgatit politikat energjetike, zgjidhjet ligjore dhe planet zhvillimore, udhëheq procedurat që janë në kompetencën e saj dhe zbaton programet e mbështetjes. Ne jemi përgjegjës edhe për politikat në sektorin e minierave, gjeologjisë dhe menaxhimit të burimeve minerale, si dhe për koordinimin e investimeve energjetike. Sa u përket kompanive, Ligji për Energjetikën bën një ndarje thelbësore. Neni 134 përcakton se Ministria është pronare e operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, MEPSO-s, ndërsa neni 205 përcakton se ajo është pronare edhe e operatorit të sistemit të transmetimit të gazit, NOMAGAS-it. Në këto shoqëri ushtrojmë autorizimet pronësore të përcaktuara me ligj, ndërsa organet e tyre drejtuese dhe mbikëqyrëse marrin vendimet për funksionimin e tyre në përputhje me ligjin. ESM është në pronësi të Qeverisë. Ministria nuk e menaxhon ESM-në, nuk i zhvillon tenderët e saj dhe nuk merr vendimet e saj komerciale. Nenet 133 dhe 204 rregullojnë ndarjen pronësore, përkatësisht ndarjen e menaxhimit të sistemeve të transmetimit nga prodhimi dhe furnizimi. Ky është parimi i njohur si unbundling, i cili synon të sigurojë operatorë të pavarur dhe qasje të barabartë në rrjete. Pikërisht për shkak të kësaj ndarjeje, unë nuk marr pjesë në vendimmarrjen e Qeverisë për çështjet në të cilat ajo ushtron të drejtat pronësore në ESM. Kjo praktikë është dokumentuar edhe në procedurën e certifikimit të MEPSO-s. Respektimi i këtij kufiri është detyrim ligjor. KRRE-ja është organ i pavarur rregullator. Sipas nenit 48 të Ligjit për Energjetikën, kryetarin dhe anëtarët e saj i emëron dhe i shkarkon Kuvendi. Ministria nuk i emëron dhe nuk ua dikton vendimet. Vendimet rregullatore për çmimet dhe tarifat merren brenda kompetencave të KRRE-së, ndërsa ESM e përcakton ofertën e saj për shitjen e energjisë elektrike në procedurën përkatëse. Përgjegjësia ime për politikat energjetike është e qartë. Po aq e qartë duhet të jetë edhe përgjegjësia e çdo bordi drejtues, bordi mbikëqyrës, operatori dhe rregullatori. Vetëm kështu opinioni publik mund të marrë përgjigje të saktë se kush e ka marrë një vendim konkret dhe kush mban përgjegjësi për të.

MEPSO po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në aktivitetet tuaja. Çfarë po ndryshon në rrjetin e transmetimit dhe çfarë përfitimi do të sjellë reaktori shunt në Dubrovë?

– Rrjeti i transmetimit është baza për çdo ambicie serioze zhvillimore në sektorin e energjetikës. Nëse duam kapacitete të reja prodhuese, industri më të fuqishme dhe shkëmbim më të madh me vendet fqinje, na nevojitet një rrjet që mund ta përballojë në mënyrë të sigurt këtë ngarkesë. Prandaj, punën me MEPSO-n po e orientojmë drejt investimeve, eliminimit të pengesave administrative dhe planifikimit afatgjatë. Dubrava është një shembull konkret se si iniciativa institucionale mund të çojë përpara një çështje të pazgjidhur prej kohësh. Bëhet fjalë për një nënstacion elektrik 400/110 kilovolt, të ndërtuar në vitin 1977, i cili ka rëndësi për furnizimin e brendshëm dhe lidhjet ndërkufitare. Me iniciativën time e hapëm çështjen e statusit pronësor dhe e forcuam koordinimin me MEPSO-n dhe institucionet kompetente. Përmes punës së përbashkët arritëm që objektet të regjistrohen në pronësi të kompanisë. Për mua është e rëndësishme që probleme të tilla të marrin zgjidhje. Rregullimi i statusit pronësor e forcon sigurinë juridike dhe krijon kushte më të mira për investime në infrastrukturën shtetërore. Kjo është një punë që mund të mos vërehet menjëherë në faturën e energjisë elektrike, por është e domosdoshme për zhvillimin e sistemit. Në Dubrovë planifikohet edhe instalimi i një reaktori shunt, i cili parashihet të vihet në funksion në fillim të vitit 2027. Kjo pajisje ndihmon në kontrollin e tensionit në sistemin e transmetimit, veçanërisht gjatë periudhave me konsum më të ulët, kur mund të shfaqen mbitensione. Duke absorbuar tepricën e energjisë reaktive, reaktori kontribuon në stabilizimin e tensionit dhe në mbrojtjen e pajisjeve. Përveç kësaj, rikonstruksioni i ndërtesës së komandimit në Dubrovë është pjesë e një projekti më të gjerë që përfshin tri nënstacione 400/110 kilovolt dhe pesë nënstacione 110 kilovolt. Po punohet edhe për çështjet pronësore-juridike në Bunardhik, të rëndësishme për linjën e planifikuar të transmetimit Bunardhik–Milladinovc, si dhe për përgatitjen e masterplanit për zhvillimin e rrjetit. Rëndësi të veçantë ka edhe interkoneksioni me Shqipërinë, përmes linjës së transmetimit 400 kilovolt nga Manastiri drejt kufirit shqiptar dhe lidhjes me Elbasanin. Projekti e plotëson ndërlidhjen rajonale të sistemit tonë dhe krijon kushte për shkëmbim më të madh të energjisë elektrike. MEPSO është bartës i realizimit të projektit, ndërsa Ministria ofron mbështetje brenda kompetencave të saj. Me këto aktivitete po e përgatisim rrjetin për prodhimin e ri, nevojat e industrisë dhe tregun rajonal. Ky është një investim afatgjatë në sigurinë e furnizimit.

Deri ku kanë arritur interkonektorët e gazit me Greqinë dhe Serbinë dhe pse, paralelisht, po punoni në tregun e gazit dhe mundësinë e përdorimit të hidrogjenit?

– Me këto projekte po i zgjerojmë mundësitë që Maqedonia të zgjedhë se nga cili burim dhe nëpër cilën rrugë do të furnizohet. Varësia e deritanishme nga një lidhje e vetme hyrëse e gazit e kufizon fleksibilitetin. Lidhja me Greqinë dhe më pas me Serbinë krijon kushte për qasje në më shumë burime, në terminalet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) përmes sistemit grek dhe në tregun më të gjerë evropian. Interkonektori me Greqinë është në ndërtim. Në Beograd informova se janë salduar rreth 30 nga gjithsej 67 kilometrat e segmentit maqedonas. Synimi është që punimet të përfundojnë në vitin 2027, me kapacitet fillestar prej 1,5 miliardë metrash kub gaz në vit. E ndjekim me kujdes dinamikën, sepse pas saldimit pasojnë edhe aktivitete të tjera ndërtimore, teknike dhe testuese.
Në korrik, së bashku me përfaqësuesit e NOMAGAS-it dhe operatorit grek DESFA, bëmë një inspektim të përbashkët të trasesë. Vizitës i paraprinë takimet e punës me drejtuesit e të dy operatorëve. Vlerësimi i përbashkët ishte se projekti po përparon dhe se ekzistojnë kushte për përshpejtimin e dinamikës. Ky koordinim i drejtpërdrejtë ndihmon që problemet të zgjidhen në kohë dhe puna të harmonizohet në të dyja anët e kufirit. Për pjesën maqedonase të interkonektorit me Serbinë është nënshkruar kontratë për projektim dhe ndërtim në vlerë prej 29,4 milionë eurosh. Parashikohen 22,4 kilometra gjatësi, rrjedhje në të dy drejtimet dhe kapacitet prej 1,4 miliardë metrash kub gaz në vit. Me lidhjen e drejtimit jugor me atë verior hapet edhe mundësia që vendi ynë të luajë rol tranzitues. Paralelisht, me iniciativën e Ministrisë, e kemi vënë në lëvizje procesin për krijimin e operatorit të tregut të gazit natyror përmes MEMO-s. Në shtator, Qeveria miratoi konkluzionet përkatëse. Ministria e koordinon përgatitjen, sepse infrastruktura duhet të shoqërohet me një treg të organizuar, rregulla të qarta dhe kushte për konkurrencë. Lidhjet e reja të gazit i planifikojmë edhe duke pasur parasysh teknologjitë e gjeneratës së ardhshme. Interkonektori me Greqinë është projektuar për transportin e ardhshëm të hidrogjenit, ndërsa një gatishmëri e tillë parashihet edhe për lidhjen me Serbinë. Në korrik përfunduam studimin e parë gjithëpërfshirës kombëtar për hidrogjenin, me asistencë teknike të financuar nga BE-ja përmes IPA II dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Studimi shqyrton prodhimin, transportin, magazinimin dhe përdorimin e hidrogjenit të gjelbër. Në këtë mënyrë, investimet e sotme po i harmonizojmë me nevojat e ardhshme të industrisë dhe tregut evropian të energjisë.

Këtë vit keni zhvilluar takime në Uashington, Vjenë, Gjenevë dhe Prishtinë, si dhe në Greqi dhe Serbi. Si po shndërrohen këto kontakte në mbështetje konkrete për Maqedoninë?

– Bashkëpunimin ndërkombëtar e zhvillojmë me një agjendë të qartë vendore. Na nevojiten burime më të sigurta furnizimi, mbështetje financiare dhe teknike për infrastrukturën, teknologji të reja dhe partnerë që i kuptojnë prioritetet tona zhvillimore. Kur vendosni një agjendë të tillë, takimet marrin vazhdimësi dhe çojnë drejt hapave konkretë. Në prill, në Uashington, nënshkruam një memorandum me SHBA-në për avancimin e sigurisë së furnizimit me gaz natyror. Diskutuam me përfaqësues të administratës amerikane dhe me kompaninë Chevron për diversifikimin dhe mundësitë e bashkëpunimit. Kjo krijoi një bazë shtesë për punën në lidhjet rajonale të gazit dhe për bisedimet me partnerë të mundshëm. Në Vjenë, si pjesë e delegacionit qeveritar, prezantuam mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe energjetik. Në shtator e vazhduam këtë punë në Forumin e Biznesit Maqedoni–Austri në Shkup, ku u trajtuan tema si modernizimi i rrjetit, magazinimi i energjisë dhe efikasiteti energjetik. Në Gjenevë, gjatë takimeve në kuadër të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), fokusi ishte te menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve dhe bashkëpunimi profesional. Në Prishtinë morëm pjesë në punën e Komunitetit të Energjisë dhe diskutuam për avancimin e partneritetit dypalësh. Të rëndësishme ishin edhe bisedimet në Delfi me DESFA-n për lidhjen e gazit dhe qasjen në infrastrukturën greke. Një pjesë e këtyre kontakteve më pas vazhduan përmes takimeve të punës dhe një vizite në terren në Maqedoni. Memorandumet që kemi nënshkruar përfshijnë disa partneritete: me Serbinë për ndërtimin e interkonektorit të gazit, me Kosovën për bashkëpunimin në energjetikë, miniera dhe lëndë të para minerale, me SHBA-në për sigurinë e furnizimit me gaz natyror dhe me Kroacinë për bashkëpunimin në sektorin energjetik. Secili prej tyre krijon një kornizë për punë në prioritetet e përbashkëta konkrete, nga ndërlidhja infrastrukturore dhe siguria e furnizimit deri te shkëmbimi i njohurive dhe mbështetja institucionale. Bashkëpunimin e kemi zgjeruar edhe me komunitetin akademik, përmes memorandumeve me Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, si dhe me Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative (FETI) dhe Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në këtë mënyrë krijojmë bazë për kërkime të përbashkëta, zbatimin e njohurive shkencore dhe përfshirjen e kuadrove të reja profesionale në zhvillimin e sektorit. Për mua, vlera e këtyre memorandumeve dëshmohet përmes aktiviteteve dhe rezultateve që pasojnë nënshkrimin e tyre. Veçanërisht do ta theksoja formatin katërpalësh ministror me Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Takimi i parë i këtij lloji u mbajt në maj në Athinë, ndërsa i dyti në tetor në Beograd. Kështu kemi vendosur një mekanizëm përmes të cilit ministrat dhe operatorët diskutojnë rregullisht për projektet e njëjta dhe realizimin e tyre. Diskutuam edhe për mbështetjen e partnerëve të BE-së për prioritetet tona energjetike përpara institucioneve evropiane.
Detyra ime është që nevojat e Maqedonisë të prezantohen qartë dhe marrëveshjet të vazhdojnë të zbatohen përmes punës së institucioneve. Rezultati duhet të shihet në një projekt më të përgatitur, një lidhje ndërkufitare të harmonizuar, asistencë teknike ose qasje në financim.

Për vitin 2027 janë paraqitur mbi 800 iniciativa për objekte energjetike. Si do të siguroheni që investimet në energjinë diellore, atë të erës dhe bateritë ta forcojnë sistemin dhe çfarë sjell ligji i ri për burimet e ripërtëritshme?

– Me Ligjin e ri për Energjetikën kemi vendosur një model më të organizuar të planifikimit të ndërtimit të objekteve energjetike. Përmes planeve vjetore, interesin për investime e shqyrtojmë në një kornizë të përbashkët me nevojat e sistemit. Për Planin e vitit 2027 kanë mbërritur mbi 800 iniciativa nga investitorë privatë dhe shtetërorë dhe aktualisht po punojmë në vlerësimin e tyre. Kjo tregon interes të konsiderueshëm, por paraqitja e një iniciative është vetëm fillimi i procedurës. Duhet të kontrollohen dokumentacioni, përputhshmëria me planet dhe mundësitë e kyçjes në rrjet. Operatorët e rrjeteve kanë rolin e tyre në përcaktimin e kushteve teknike. Synimi ynë është që investitori të informohet me kohë se çfarë mund të realizojë, ku ekzistojnë kufizime dhe cilat detyrime duhet t’i përmbushë. Një hap i rëndësishëm është edhe miratimi i Ligjit të veçantë për Përdorimin e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme. Me të rregullohen çështje të rëndësishme për prodhuesit dhe konsumatorët, masat mbështetëse, garancitë e origjinës dhe komunitetet energjetike. Qytetarët, komunat dhe kompanitë fitojnë një kornizë ligjore për të marrë pjesë më aktivisht në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së pastër. Ligji parasheh edhe mekanizma bashkëkohorë të mbështetjes, ndër të cilët kontratat dykahëshe për shlyerjen e diferencës së çmimeve në treg. Synimi i tyre është të sigurojnë parashikueshmëri më të madhe për investimet, përmes mekanizmave që mbrojnë interesin publik edhe në rastet kur çmimet e tregut janë të larta. Detyra e radhës është zbatimi i qëndrueshëm i kornizës ligjore dhe funksionimi i procedurave. Në konferencën për energjinë diellore në shtator theksova se zhvillimi i prodhimit duhet të ecë paralelisht me zhvillimin e rrjetit dhe magazinimin e energjisë. Termocentralet diellore prodhojnë më së shumti energji gjatë orëve të caktuara, ndërsa konsumi ka një shpërndarje tjetër kohore. Sistemet me bateri mundësojnë që një pjesë e kësaj energjie të ruhet për përdorim të mëvonshëm dhe të përmirësohet fleksibiliteti i sistemit. Gjatë së njëjtës periudhë u shënua edhe mbyllja financiare e fazës së parë të parkut me erë pranë Shtipit. Investime të tilla private janë pjesë e zhvillimit më të gjerë të prodhimit vendor, ndërsa detyrimi i institucioneve është të sigurojnë rregulla të barabarta dhe respektimin e kushteve teknike e mjedisore. Një procedurë e parashikueshme është e rëndësishme si për investitorin, ashtu edhe për mbrojtjen e interesit publik.

Si i lidhni planet e mëdha për tranzicionin energjetik me punën në terren dhe me njohuritë e ekspertëve vendorë?

– Politika energjetike duhet të bazohet në funksionimin real të sistemit. Prandaj, për mua është e rëndësishme që kolegët e Ministrisë, të cilët punojnë në plane, programe dhe procedura, të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me inxhinierët, operatorët dhe njerëzit që çdo ditë mirëmbajnë infrastrukturën. Në shtator, së bashku me punonjës të Ministrisë, vizituam hidrocentralin “Vrutok”. Vizita të tilla mundësojnë kuptim më të mirë të teknologjisë, rolit të hidroenergjisë dhe sfidave praktike me të cilat përballet personeli. Kjo njohuri është e dobishme për përgatitjen e politikave dhe koordinimin sektorial, duke respektuar përgjegjësinë e pavarur të kompanive për funksionimin e tyre. Gjatë të njëjtit muaj, së bashku me partnerët, shqyrtuam edhe Platformën e Investimeve për Tranzicion të Drejtë Energjetik. Portofoli i përditësuar përfshin 81 projekte me vlerë rreth 1,77 miliardë euro, ndërsa për projekte me vlerë rreth 460 milionë euro është siguruar financimi. Këto projekte ndodhen në faza të ndryshme, ndaj fokusi ynë është te përgatitja, harmonizimi i tyre dhe ndjekja e realizimit. Tranzicioni i drejtë kërkon vëmendje edhe ndaj njerëzve. Teknologjitë e reja sjellin nevojën për aftësi të reja në menaxhimin e rrjeteve, magazinimin e energjisë, digjitalizimin dhe mirëmbajtjen. Prandaj po e thellojmë bashkëpunimin me universitetet dhe institucionet profesionale dhe po krijojmë hapësirë që inxhinierët e rinj të përfshihen në këtë sektor. Për mua, politikë e mirë është ajo që lidh investimin, infrastrukturën dhe njohuritë e nevojshme për funksionimin e tyre. Me këtë qasje rritet edhe kapaciteti vendor për menaxhimin e zhvillimit energjetik.

Sa është mbështetja përmes vauçerëve për kondicionerë inverter dhe çfarë po ndryshoni thelbësisht në mbrojtjen e familjeve që përballen me varfëri energjetike?

– Mbështetja është më e gjerë se shpërndarja e vauçerëve në shtator. Në mars të këtij viti filluam shpërndarjen e 4.070 vauçerëve sipas thirrjes publike të vitit 2025. Vauçeri mundëson blerjen dhe instalimin e një kondicioneri inverter me fuqi 3,5 kilovat, të klasës energjetike së paku A+, në vlerë deri në 28.000 denarë, pa pagesë shtesë nga përfituesi. Në shtator publikuam edhe listat me mbi 500 vauçerë të rinj në kuadër të Programit për vitin 2026. Ata u dedikohen familjeve me persona që marrin kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar dhe familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara që përfitojnë shtesë të veçantë, në përputhje me kushtet e programit. Vetëm këto dy procedura përfshijnë mbi 4.570 vauçerë, realizimi i të cilëve po zhvillohet këtë vit. Në këtë fushë, Ministria ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë: nga përgatitja e programit dhe zhvillimi i procedurës deri te informimi i përfituesve dhe përcaktimi i kushteve për shfrytëzimin e mbështetjes. Vauçeri i ndarë duhet të shndërrohet në një pajisje të instaluar dhe funksionale në shtëpi. Prandaj, përfituesit i ftojmë ta përfundojnë procedurën në kohë, brenda afatit të publikuar deri më 15 tetor. Me Ligjin e ri për Energjetikën, për herë të parë e kemi përkufizuar varfërinë energjetike dhe është miratuar edhe metodologjia për matjen e saj. Kështu po krijojmë bazë që masat të orientohen sipas nevojave dhe treguesve të përcaktuar. Varfëria energjetike lidhet edhe me mundësinë që familja të sigurojë ngrohje të përshtatshme dhe shërbime bazë energjetike, në varësi të të ardhurave, shpenzimeve dhe gjendjes së banesës.
Prandaj, efikasiteti energjetik ka edhe rëndësi sociale. Një pajisje më efikase mund ta ulë konsumin e nevojshëm për ngrohjen e hapësirës dhe t’i përmirësojë kushtet e jetesës. Synimi ynë është që mbështetja të jetë e qasshme dhe e orientuar drejt atyre që kanë më shumë nevojë, ndërsa efekti i saj të ndiqet në jetën reale të përfituesve.

Pse janë të rëndësishme për ju hulumtimet gjeologjike, strategjia 20-vjeçare për lëndët e para minerale dhe mbrojtja e rubinit maqedonas? Si lidhen ato me zhvillimin ekonomik?

– Shteti duhet të disponojë njohuri bashkëkohore dhe të sistematizuara për pasuritë e veta natyrore. Pa të dhëna të tilla, është e vështirë të merren vendime të mira për planifikimin hapësinor, mbrojtjen e burimeve ose mundësitë për shfrytëzimin e tyre të qëndrueshëm. Prandaj synojmë të kemi një pasqyrë më të plotë gjeologjike të të gjithë territorit dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve që disponojnë këto njohuri. Strategjia e miratuar për hulumtimet gjeologjike dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të lëndëve të para minerale për periudhën 2026–2046 krijon një kornizë afatgjatë për këtë punë. Planifikimi 20-vjeçar është i rëndësishëm, sepse hulumtimet, investimet dhe mbrojtja e burimeve kërkojnë vazhdimësi. Përmes strategjisë mund t’i lidhim më qartë njohuritë shkencore, nevojat ekonomike dhe detyrimet ndaj mjedisit. Hulumtimet prospektuese shërbejnë për identifikimin fillestar dhe vlerësimin e potencialit gjeologjik. Ato, në vetvete, nuk përbëjnë vendim për hapjen e një miniere dhe nuk i zëvendësojnë procedurat dhe lejet për shfrytëzim eventual. Ky dallim duhet t’u shpjegohet qartë qytetarëve, në mënyrë që ata të dinë se çfarë aktiviteti po zhvillohet, çfarë mund të tregojë ai dhe cilat vendime mund të pasojnë.
Në fillim të tetorit, me Shërbimin Gjeologjik dhe Universitetin “Goce Dellçev”, diskutuam për potencialin gjeotermal, lëndët e para minerale kritike dhe mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore përmes programit “Horizon Europe”. Iniciuam edhe përgatitjen e një katalogu të burimeve minerale. Ministria e koordinon bashkëpunimin, ndërsa institucionet profesionale dhe shkencore sigurojnë bazën kërkimore. Rubini tregon se si kjo njohuri mund të krijojë vlerë shtesë ekonomike. Me vendimin e 17 qershorit u mbrojt emërtimi gjeografik “Rubini maqedonas”, ndërsa në shtator vazhduam aktivitetet për kontrollin profesional të cilësisë dhe veçorive të tij të posaçme. Origjina e mbrojtur dhe cilësia e konfirmuar krijojnë mundësi për përpunuesit, zejtarët, dizajnerët dhe ofertat turistike vendore. Në një kuptim më të gjerë, kompleksi minerar krijon punësim edhe për kompanitë inxhinierike, laboratorët, transportin, shërbimet dhe furnizuesit vendorë. Është e rëndësishme që një pjesë më e madhe e vlerës të mbetet në vend përmes njohurive, përpunimit dhe produkteve me vlerë më të lartë. Ky zhvillim duhet të shoqërohet me pagesën përkatëse për shfrytëzimin e burimeve, sigurinë në punë dhe respektimin e kushteve mjedisore.
Levica e arsyeton interpelancën me vlerësimin se Ministria nuk ka rezultate. Çfarë u përgjigjeni dhe çfarë mendoni se është lënë jashtë këtij vlerësimi?
– Më vjen keq që në këtë vlerësim nuk e njohin punën e bërë. E respektoj të drejtën për kritikë, por vlerësimi i një ministrie duhet të bazohet në kompetencat e saj ligjore dhe rezultatet e verifikueshme. Kur në të njëjtin mesazh politik përzihen Ministria, ESM-ja, KRRE-ja dhe kontratat nga periudhat e mëparshme, publiku merr një pasqyrë të gabuar se kush vendos për çfarë. Puna jonë mund të verifikohet konkretisht. Është miratuar Ligji i ri për Energjetikën, e më pas edhe Ligji i veçantë për Përdorimin e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme. Kemi vendosur planifikimin vjetor të objekteve të reja energjetike. Është miratuar edhe strategjia 20-vjeçare për hulumtimet gjeologjike dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të lëndëve të para minerale. Këto janë dokumente themelore që e drejtojnë punën në sektorët për të cilët jemi përgjegjës. Në fushën e përgatitjes për rreziqet, e kemi përfunduar vlerësimin kombëtar të sigurisë së furnizimit me gaz, në përputhje me rregullat evropiane. Në të shqyrtohen rreziqet, ndërprerjet e mundshme dhe mekanizmat e reagimit. Kemi hartuar edhe studimin e parë gjithëpërfshirës kombëtar për hidrogjenin, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për t’i identifikuar me kohë mundësitë që sjellin teknologjitë e reja.
Ka punë konkrete edhe në infrastrukturë. Pas një ndërprerjeje shumëvjeçare, produktovodi Selanik–Shkup është sërish në funksion, duke siguruar një mundësi shtesë transporti për furnizimin me derivate të naftës. Vazhdon realizimi i interkoneksionit elektroenergjetik me Shqipërinë. Po ndërtohet interkonektori i gazit me Greqinë, është nënshkruar kontrata për pjesën maqedonase të lidhjes me Serbinë, ndërsa përfshirja në Korridorin Vertikal u jep këtyre investimeve një perspektivë më të gjerë rajonale. Kompanitë i realizojnë projektet, ndërsa Ministria ushtron rolin e saj ligjor, koordinues dhe ndërkombëtar. Është i dukshëm edhe angazhimi ndërkombëtar. Kemi nënshkruar memorandume me Serbinë, Kosovën, SHBA-në dhe Kroacinë, ndërsa përmes memorandumeve me universitetet dhe fakultetet e kemi thelluar bashkëpunimin me komunitetin akademik. E kemi forcuar bashkëpunimin me organet e OKB-së dhe Komunitetin e Energjisë dhe kemi vendosur dialog të rregullt ministror me vendet fqinje. Në të njëjtën kohë, po zbatojmë programe për konsumatorët në nevojë dhe po punojmë për kontroll më të mirë të shfrytëzimit të burimeve natyrore. Ekziston edhe një kontekst tjetër i rëndësishëm. Këtë Ministri e kemi krijuar nga fillimi. Në muajt e parë nuk kishim as ndërtesën tonë. Duhej të siguronim hapësirë, të formonim ekipe, të vendosnim organizimin dhe të krijonim kushtet teknike e administrative për punë. Për një institucion me kompetenca të tilla nevojiten profesionistë, pajisje, procedura dhe sisteme funksionale. Ndërkohë, detyrimet ndaj qytetarëve, kompanive dhe partnerëve ndërkombëtarë vazhdonin çdo ditë. Prandaj, kur flasim për punën e bërë, duhet të merret parasysh edhe krijimi i kapaciteteve institucionale që do t’i shërbejnë shtetit në planin afatgjatë. Në shtator, Ministria arriti 100 për qind sipas Indeksit të Transparencës Aktive të Qendrës për Komunikime Civile. Ky është një vlerësim konkret për publikimin proaktiv të informacioneve dhe një detyrim për ta ruajtur këtë standard. Jam e gatshme për debat serioz parlamentar dhe për përgjegjësi për çdo vendim që është në kompetencën time. Por pretendimi se nuk ka rezultate nuk mund të qëndrojë nëse shqyrtohen ligjet, programet, dokumentet dhe projektet që janë vënë në lëvizje. Për to ekzistojnë të dhëna dhe gjurmë të qarta institucionale.

Në kritika përmendet borxhi i ESM-së, që pretendohet se është rritur për 17 milionë euro, tenderët e saj dhe marzha prej 9,9 për qind e furnizuesit universal. A mund t’ju atribuohen këto çështje si përgjegjësi e drejtpërdrejtë?

– Nuk mund të më atribuohen automatikisht vendime që nuk i marr dhe procedura në të cilat nuk kam të drejtë ligjore të ndërhyj. ESM ka Bord Drejtues dhe Bord Mbikëqyrës, ndërsa të drejtat pronësore i ushtron Qeveria. Për prokurimet, kontratat, detyrimet financiare dhe ofertat e shitjes përgjegjësi mbajnë organet kompetente të kompanisë. Ligji kërkon që Ministria, si pronare e operatorëve të transmetimit, të jetë e ndarë nga menaxhimi i prodhuesit. Për shifrën prej 17 milionë eurosh duhet të kërkohet një krahasim i saktë financiar nga ESM-ja: cilës periudhë i referohet, cilat detyrime janë përfshirë dhe çfarë e ka shkaktuar ndryshimin. Kjo është mënyra për t’i përcaktuar faktet. Vetëm përmendja e një shume në një komunikatë partiake nuk përcakton as shkakun dhe as përgjegjësinë personale të ministres. Sa i përket furnizuesit universal, rëndësi ka edhe kronologjia. Vendimi i Qeverisë për përzgjedhjen e ofertës së EVN-së është marrë më 16 prill 2024, përpara formimit të kësaj Ministrie dhe përpara se unë të merrja detyrën. Marzha prej 9,9 për qind buron nga procedura e tenderit për përzgjedhjen e furnizuesit universal. Kjo është marzhë bruto e furnizimit dhe nuk duhet të barazohet me fitimin neto të kompanisë. Unë nuk e kam përcaktuar këtë marzhë. Edhe te çmimet duhet të respektohet ndarja e roleve. ESM e përcakton ofertën e saj për energjinë elektrike, ndërsa KRRE-ja ushtron kompetencat rregullatore ligjore lidhur me tarifat dhe kontrollin e përllogaritjeve të furnizuesit universal. Ministria nuk e përcakton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike për familjet dhe nuk mund t’i diktojë vendimet e pavarura rregullatore. Qëndrimi im ndaj kontrollit të mjeteve publike është i qartë. Menjëherë pas marrjes së detyrës kërkova nga Enti Shtetëror i Revizionit që të kryejë kontrolle në sektor. Në shtator, me kryerevizorin shtetëror Maksim Acevski, shqyrtuam gjetjet dhe nevojën që rekomandimet të shndërrohen në masa konkrete, afate dhe persona përgjegjës. Kërkesa për kontroll të pavarur është pjesë e veprimit të përgjegjshëm brenda kompetencave institucionale. Jam e hapur për dialog të bazuar në dokumente. Por nuk pranoj që kësaj Ministrie t’i atribuohen tenderë të të tjerëve ose vendime të marra përpara themelimit të saj. Përgjegjësia duhet të përcaktohet sipas ligjit, procedurës konkrete dhe personave që kanë vendosur.

Levica pretendon gjithashtu se kompensimet për koncesionet janë të ulëta dhe se qytetarët nuk dëgjohen gjatë hulumtimeve gjeologjike. Çfarë tregojnë veprimet tuaja në këtë fushë?

– Së pari, i kemi rritur kompensimet për koncesionet deri në 100 për qind me tariforen e re, e cila zbatohet nga 1 janari 2025. I kemi forcuar kontrollet dhe masat ndaj koncesionarëve që nuk i përmbushin detyrimet. Tashmë janë revokuar mbi 40 koncesione për shkak të parregullsive të konstatuara. Kjo tregon se shfrytëzimin e burimeve natyrore po e lidhim me detyrime që duhet të përmbushen. Rezultati shihet edhe në të hyrat nga pagesat. Në vitin 2025 janë arkëtuar mbi 1,22 miliardë denarë nga kompensimet për koncesionet e shfrytëzimit, krahasuar me rreth 561,5 milionë denarë në vitin 2024. Kjo është më shumë se dyfishim i të hyrave. Në gjysmën e parë të vitit 2026 janë arkëtuar rreth 573,9 milionë denarë, që do të thotë se po ruhet niveli më i lartë i arritur pas ndryshimeve. Për ne është thelbësore që gjithçka që shfrytëzohet nga pasuria natyrore e Maqedonisë të paguhet në mënyrë të përshtatshme dhe të respektohen kushtet për mbrojtjen e mjedisit. Pagesa e kompensimit nuk e përjashton detyrimin për respektimin e standardeve mjedisore. Kontrollet, verifikimi i kontratave dhe masat ndaj parregullsive duhet të zhvillohen paralelisht. Sa u përket hulumtimeve gjeologjike, qytetarët kanë të drejtë të marrin shpjegime të qarta. Hulumtimi duhet të na japë njohuri për atë që zotërojmë si shtet. Ai nuk krijon automatikisht të drejtën për hapjen e një miniere. Për shfrytëzimin eventual ekzistojnë procedura dhe kushte të veçanta, përfshirë ato për mbrojtjen e mjedisit dhe pjesëmarrjen e publikut. Përmes përgatitjes së zgjidhjeve ligjore për gjeologjinë dhe minierat po punojmë edhe për rregulla më të qarta. Nevojiten më shumë punëtori praktike me komunat, ekspertët, kompanitë dhe organizatat e shoqërisë civile, në bashkëpunim edhe me partnerët evropianë. Njerëzit duhet të kuptojnë me kohë se çfarë po ndryshon, cili institucion është kompetent dhe si mund të marrin pjesë në procedura. Transparenca është e domosdoshme në këtë fushë. Prandaj publikohen regjistrat dhe informacionet për koncesionet, ndërsa nga institucionet priten përgjigje të arsyetuara për çdo rast konkret. Zhvillimi ka kuptim kur krijon vende pune dhe të ardhura për vendin, me shfrytëzim të përgjegjshëm të burimeve dhe respektim të njerëzve që jetojnë në ato zona. Ky është qëndrimi që po zbatojmë dhe për të cilin jam e gatshme të jap llogari.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër