Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Në fund të muajit, më saktësisht më 28 tetor, do të bëhet i njohur pasardhësi i Islam Abazit, shefit aktual të prokurorisë më të fuqishme në vend, Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Të pesë kandidatët, në një prononcim për revistën “Fokus”, shpjegojnë pse konsiderojnë se janë zgjedhja e duhur për të drejtuar këtë prokurori dhe pse kolegët duhet të votojnë për ta. Ata gjithashtu përgjigjen se çfarë i nevojitet këtij institucioni për t’u përballur pa kompromis me krimin e rëndë dhe cilat do të jenë angazhimet e tyre nëse zgjidhen në këtë detyrë.
Në garë janë prokurorët Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski. Revista “Fokus” këto ditë po publikon deklaratat e tyre sipas radhës së përcaktuar në listën e kandidatëve të publikuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.
Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva ka 11 vjet përvojë pune si prokurore publike. Ajo është pjesë e gjeneratës së pestë të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë. Deri vonë ishte pjesë e Prokurorisë së Shkupit, ndërsa që nga viti 2024 është angazhuar në Prokurorinë për
Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Ajo ka punuar në disa lëndë të rëndësishme, ndërsa ndër rastet e fundit me të cilat është bërë e njohur për publikun janë rasti i 350 mijë eurove të muratuara në shtëpinë e gjyqtarit Gjoko Ristov, si dhe rasti “Zhan Mitrev”.
Haxhi Vasileva thekson se Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, ndërsa rezultatet dhe besimi në punën e saj reflektohen edhe te të gjitha prokuroritë e tjera në vend.
“Jam e bindur se, me qasjen time, vlerat për të cilat angazhohem dhe dëshirën për të dhënë kontribut në luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, të cilën e dëshmoj çdo ditë përmes punës sime, mund të kontribuoj personalisht që efektet e punës së kësaj prokurorie të ndihen më shumë.
Kolegët më njohin mirë dhe me shumë prej tyre ndajmë të njëjtat vizione, por edhe të njëjtat sfida në punën tonë. Pa ushtruar asnjë presion, thjesht do t’i inkurajoj që të qëndrojnë së bashku me mua në këtë luftë.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion gjatë periudhës së kaluar ka dëshmuar se mund të trajtojë edhe raste jashtëzakonisht të vështira dhe me profil të lartë. Prandaj, konsideroj se mund të vazhdojmë në këtë drejtim, me një ritëm edhe më të fuqishëm”, deklaroi prokurorja Haxhi Vasileva.
Ajo vlerëson se për një luftë serioze kundër krimit dhe korrupsionit nevojiten burime njerëzore dhe materiale.
“Është e qartë se nevojiten burime, si njerëzore, ashtu edhe materiale. Këtë e ka theksuar disa herë edhe prokurori publik i shtetit. Nevojitet digjitalizim, hetime financiare moderne dhe efikase, si dhe gjurmim i hollësishëm i kapitalit të përfituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, integriteti dhe qasja e ndershme në punë janë absolutisht të domosdoshme.
Megjithatë, për pozitën për të cilën kam kandiduar, shumë më i rëndësishëm sesa vetë fakti se çfarë i nevojitet prokurorisë është pyetja se si mund të arrihet kjo.
Propozoj riorganizimin e punës së Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, si dhe një program të bazuar në katër shtylla kryesore: rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e procedurave; hetimet financiare dhe konfiskimin e pasurisë, përmes të cilave do të dëshmohen rezultatet e luftës kundër korrupsionit; forcimin e kapaciteteve të prokurorisë dhe të qendrës së saj hetimore; si dhe ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për rritjen e transparencës dhe besimit të publikut”, thekson prokurorja Haxhi Vasileva.
