Ambasada e Suedisë hap konkursin “Ambasadore për një Ditë 2026/2027” për vajzat mbi 15 vjeç

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 tetor, Zhurnal.mk – Ambasada e Suedisë në Shkup ka hapur konkursin për programin “Ambasadore për një Ditë 2026/2027”, i cili u mundëson vajzave mbi moshën 15-vjeçare të njihen nga afër me punën e një ambasadoreje dhe të angazhohen në promovimin e barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta, përcjell Zhurnal.mk.

Konkursi u drejtohet vajzave që kanë interes për barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe dëshirën për të kontribuar në ndryshime pozitive në shoqëri.

Kandidatja e përzgjedhur do të ndjekë nga afër punën e ambasadorit gjatë një dite të plotë pune, nga ora 08:30 deri në 16:00. Gjatë kësaj kohe, ajo do të marrë pjesë në takime, do të bashkëpunojë me stafin e ambasadës dhe do të përfshihet në aktivitetet e përditshme të institucionit. Në përfundim, do të përgatisë një raport të shkurtër mbi përvojën dhe aktivitetet e realizuara.

Dokumentet e nevojshme për aplikim

Të interesuarat duhet të dorëzojnë një letër motivimi me maksimumi 250 fjalë, ku të shpjegojnë arsyet e aplikimit, si dhe një biografi të shkurtër që përshkruan angazhimet, interesat dhe aktivitetet e tyre në dobi të komunitetit.

Biografia mund të përfshijë pjesëmarrjen në iniciativa që promovojnë barazinë mes vajzave dhe djemve, ndihmën për të moshuarit dhe grupet e cenueshme, mbrojtjen e mjedisit apo kontribute të tjera shoqërore.

Përveç këtyre dokumenteve, aplikantet duhet të paraqesin edhe dy rekomandime, me nga një deri në dy paragrafë secili, nga persona që i njohin mirë dhe mund të vlerësojnë angazhimin e tyre, si mësues, profesorë apo persona të tjerë. Për vajzat e moshës 15 deri në 18 vjeç kërkohet edhe pëlqimi me shkrim nga prindërit ose kujdestarët ligjorë.

Afati i fundit për aplikim është 10 nëntori 2026, në orën 23:59. Dokumentet duhet të dërgohen në adresën elektronike ambassaden.skopje@gov.se, me subjektin: “Aplikim për konkursin #GirlsTakeOver – Ambasadore për një Ditë 2026/2027”.

Kandidatet që do të përzgjidhen në listën e ngushtë do të ftohen në intervistë online. Rezultatet përfundimtare do t’u komunikohen të gjitha aplikanteve deri më 15 dhjetor 2026, përmes adresës elektronike të shënuar në aplikim.

Kandidatja fituese pritet ta ushtrojë rolin e saj në fillim të semestrit të dytë shkollor, në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, në kuadër të aktiviteteve që lidhen me 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Një iniciativë globale për fuqizimin e vajzave

“#GirlsTakeOver” është një iniciativë globale që u mundëson vajzave në mbarë botën të marrin, në mënyrë simbolike, role dhe pozita udhëheqëse. Iniciativa lidhet me 11 Tetorin, Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, dhe përfshin Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, si dhe ambasadat suedeze në vende të ndryshme të botës.

Përmes kësaj nisme synohet të promovohet fuqizimi i vajzave, barazia gjinore dhe pjesëmarrja e tyre në pozita udhëheqëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër