Prishtinë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me një delegacion të lartë të institucionit, po merr pjesë në Takimet Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat po mbahen në Bangkok të Tajlandës.
Sipas njoftimit të BQK-së, takimet zhvillohen nga 12 deri më 18 tetor, ndërsa gjatë kësaj periudhe delegacioni kosovar do të zhvillojë takime bilaterale dhe multilaterale me drejtues e zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, guvernatorë të bankave qendrore dhe përfaqësues të institucioneve partnere.
Në këto takime pritet të diskutohen zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare, perspektivat ekonomike, rreziqet për stabilitetin financiar, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional.
Guvernatori Ismaili do të prezantojë zhvillimet dhe rezultatet kryesore të sektorit financiar të Kosovës, progresin në zbatimin e reformave dhe prioritetet strategjike të BQK-së.
Fokus i veçantë do t’u kushtohet forcimit të stabilitetit financiar, avancimit të mbikëqyrjes dhe kornizës rregullative, modernizimit të sistemeve të pagesave dhe përafrimit të tyre me standardet e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, gjatë takimeve do të vlerësohen rezultatet e programeve të bashkëpunimit dhe asistencës teknike, si dhe do të shqyrtohen mundësitë për mbështetje të mëtejshme në zbatimin e reformave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit financiar.
Sipas BQK-së, pjesëmarrja në këto takime synon forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, avancimin e prioriteteve strategjike të institucionit dhe përfaqësimin e Kosovës në diskutimet për zhvillimet dhe sfidat e sistemit financiar ndërkombëtar.
