Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vizitoi sot Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarit (QAPU) në Bunavi, Vlorë, ku u takua me studentët, kadetët dhe ushtarët e rinj që po zhvillojnë trajnimet ushtarake, si dhe me drejtuesit dhe instruktorët e Qendrës.
Gjatë kësaj vizite, ku shoqërohej edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, ministri Nufi vlerësoi rolin e Qendrës në përgatitjen profesionale dhe formimin e brezave të rinj të Forcave të Armatosura, duke theksuar se përtej aftësive ushtarake, trajnimi synon të ndërtojë disiplinën, karakterin, përgjegjësinë dhe frymën e bashkëpunimit.
“Uniforma ushtarake është privilegji juaj i jetës, është krenaria juaj, është edhe nderi juaj!”, u shpreh ministri Nufi, duke iu drejtuar të rinjve që kanë zgjedhur t’i përkushtohen shërbimit ushtarak dhe detyrës ndaj Atdheut.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e përgatitjes së vazhdueshme dhe të standardeve të larta në formimin e personelit ushtarak, duke vlerësuar njëkohësisht përgjegjësinë e instruktorëve në përcjelljen e njohurive, aftësive dhe vlerave që karakterizojnë shërbimin në Forcat e Armatosura.
“Gjatë tre muajve të trajnimit, mësohet disiplina, rregullat, qëndrueshmëria, bashkëpunimi dhe, mbi të gjitha, kuptimi i të qenit pjesë e një force që funksionon si një e tërë. Këtu, suksesi nuk matet vetëm me aftësinë për të përmbushur një detyrë apo për të zotëruar një aftësi ushtarake. Ai matet edhe me karakterin, me respektin për shokun, me besimin te skuadra dhe me gatishmërinë për të mos e lënë kurrë pas atë që ka nevojë për ndihmë”, theksoi ministri.
Ministri Nufi vuri në dukje se, në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi, Shqipëria ka nevojë për ushtarakë profesionistë, të aftë dhe të përgatitur për të vepruar sipas standardeve të NATO-s.
“Ky është drejtimi që duhet të ndjekim: një Forcë e Armatosur që mëson vazhdimisht, përshtatet me ndryshimet dhe investon te njerëzit e saj po aq sa investon në modernizimin e kapaciteteve. Në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi, Shqipëria ka nevojë për ushtarakë profesionistë, të aftë dhe të përgatitur për të vepruar sipas standardeve të NATO-s, për të përballuar sfidat e reja dhe për të kontribuar me përgjegjësi në sigurinë tonë të përbashkët euroatlantike”, theksoi ministri Nufi.
Javën e kaluar, në QAPU nisën fazën e formimit ushtarak 78 studentë të Kursit të Përgatitjes së Oficerit, të cilët do të ndjekin një trajnim dhjetëjavor si dhe 80 studentë të ciklit “Bachelor”, për një trajnim pesëjavor.
Qendra e Arsimimit Profesional të Ushtarit në Bunavi luan një rol thelbësor në formimin bazë dhe të avancuar të personelit ushtarak, duke përgatitur rekrutët dhe kadetët për kalimin nga jeta civile në atë ushtarake dhe për përgjegjësitë që i presin në shërbim të vendit.
