Taksa e strehimit 3% do të paguhet vetëm në vlerë monetare

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor Zhurnal.mk – Qeveria ka rishikuar variantin e projektligjit “Për strehimin social” të propozuar në muajin korrik 2026.

Varianti i ri, ndër disa ndryshime të reja, propozon gjithashtu që ndërtuesit që do të aplikojnë për leje ndërtimi për objekte banimi me sipërfaqe mbi 2 mijë metra katror do të paguajnë vetëm në vlerë monetare taksën 3% për strehimin.

Detyrimin për taksën e strehimit, ndërtuesit do të mund ta paguajnë edhe me këste.

Ligji aktual “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, në nenin 19 të tij, fillimisht parashikonte se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2 mijë metër katror, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes funksionale të banimit për fondin e banesave sociale. Por prej vitit 2019 u përcaktuar si e drejtë që zhvilluesve të lejeve të ndërtimit, përveç dhënies së apartamenteve, t’u njihej si pagesë takse edhe konvertimi i sipërfaqes për strehim në vlerë monetare, e llogaritur sipas çmimeve të shitjes.

Në ndryshimet e reja që i bëhen ligjit për strehimin, pas draftit të publikuar në konsultimet publike në muajin qershor 2026, qeveria riformulon mekanizmin e kontributit të sektorit privat për financimin e politikave të strehimit përmes pagesës së taksës 3%.

Në draftin e ri, konkretisht në nenin 10, propozohet që subjektet private që aplikojnë për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime banimi me sipërfaqe funksionale mbi 2 mijë metra katror do të kontribuojnë në Fondit Publik të Banesave Sociale (FSKS ) me vlerën monetare të barasvlershme me shitjen e 3 për qind të sipërfaqes funksionale, sipas çmimit të tregut.

Projektligji gjithashtu përcakton edhe mënyrën e formalizimit të marrëdhënies ndërmjet subjektit privat dhe AKTSS-së, afatet dhe mënyrat e pagesës, përfshirë mundësinë e pagesës me këste, si dhe pasojat në rast të mospërmbushjes së detyrimit.

“Ky mekanizëm synon të krijojë një burim të qëndrueshëm shtesë për financimin e politikave të strehimit dhe lidh zhvillimin e sektorit privat me krijimin e kapaciteteve publike për strehim”, thuhet në relacion.

Prej vitesh pjesa dërrmuese e ndërtuesve ka zgjedhur ta paguajë taksën 3% të strehimit në vlerë monetare./Monitor

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër