Prishtinë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Me kanosje dhe linçime janë përballur gazetarët kosovarë Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj gjatë këtij muaji, shkruan Ekonomia Online.
Për ditë të tëra, autori i emisionit “DPT te Fidani”, Fidan Jupolli, është linçuar nga eksponentë të pushtetit, për shkak të një deklarimi të tij se “o je me UÇK-në, o me Millosheviqin”.
Jupolli këtë fjali e kishte thënë në emisionin e tij gjatë protestave kundër Gjykatës Speciale që janë mbajtur anembanë Kosovës, pas dënimit me 81 vjet burgim të ish-krerëve të UÇK-së.
Për sulmet ndaj gazetarit Jupolli me përvojë shumëvjeçare, reaguan deputetë opozitarë, duke i dalë në krah gazetarit, i cili ka punuar në disa media në Kosovë, derisa në emisionin e tij kishin hapësirë edhe deputetë e ministra të pushtetit aktual.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e pati dënuar fyerjet, etiketimet dhe kërcënimet ndaj Jupollit. AGK-ja ka shprehur mbështetje për Jupollin që të ndërmarrë veprime ligjore për denoncimin e sulmeve, të cilat, sipas AGK-së cenojnë edhe integritetin fizik të tij dhe të familjes së tij.
