Shkup, 13 tetor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në mëngjesin e punës të organizuar në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, theksoi rëndësinë e përfshirjes së vendeve kandidate në Qendrën Evropiane për Reziliencë Demokratike që nga fillimi, kumtoi Ministria për Çështje Evropiane.
Në fjalimin e tij, ministri Sali nënvizoi se manipulimi i informacionit nga aktorë të huaj, sulmet kibernetike dhe presionet ndaj mediave të pavarura dhe shoqërisë civile përbëjnë kërcënime të përbashkëta për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate. Sipas tij, qëndrueshmëria demokratike është bërë pjesë thelbësore e sigurisë evropiane.
“Përfshirja në këtë qendër do t’i mundësonte Maqedonisë së Veriut qasje më të shpejtë në vlerësimet evropiane të kërcënimeve, mekanizmat e paralajmërimit të hershëm, ekspertizën dhe rrjetet operacionale. Njëkohësisht, do të forconte kapacitetet për luftimin e dezinformimit, komunikimin strategjik, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen për mediat e pavarura e shoqërinë civile, duke ndihmuar edhe reformat në fushat themelore të procesit të anëtarësimit”, kumtoi MÇE.
Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut synon të jetë jo vetëm përfituese, por edhe kontribuuese aktive, duke ndarë përvojën e saj në përballjen me kërcënimet hibride. Ai bëri të ditur se kanë nisur përgatitjet e brendshme për pjesëmarrje substanciale, se Ministria e Drejtësisë është caktuar institucion koordinues dhe se janë emëruar pikat e kontaktit për komunikim me Sekretariatin e Qendrës.
Në përfundim, Sali bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se përfshirja e hershme e vendeve kandidate në instrumentet evropiane e bën zgjerimin një kontribut konkret për sigurinë, demokracinë dhe unitetin e Evropës.
