Rusi: KLGJ miratoi 80 akte gjatë viteve 2021-2025, sfidë plotësimi i vakancave

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar 80 akte nënligjore gjatë periudhës 2021-2025, ndërsa 26 dispozita të parashikuara në tre ligjet kryesore të reformës në drejtësi mbeten ende për t’u përmbushur.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi tha se nga 85 dispozita që parashikojnë detyrime për nxjerrjen e akteve nga KLGJ-ja, janë përmbushur 59, ndërsa 26 të tjera mbeten për t’u miratuar.

Ai sqaroi se numri i akteve të miratuara dhe ai i dispozitave të përmbushura janë tregues të ndryshëm, pasi një vendim i Këshillit mund të përmbushë detyrime që burojnë nga disa dispozita njëkohësisht.

“Në përputhje me kërkesën e komisionit, do të ndalemi tek aktet në ligjore të miratuara gjatë periudhës 2021-2025, fusha që ato rregullojnë zbatimin e tyre dhe detyrimet që mbeten për t’u përmbushur.  Gjatë periudhës 2021-2025, Këshilli ka miratuar 80 akte, përkatësisht 14 në vitin 2021, 10 në vitin 2022, 27 në vitin 2023, 9 në vitin 2024 dhe 20 në vitin 2025.  Në tre ligjet kryesore të reformës në drejtësi, janë identifikuar 85 dispozita që parashikojnë detyrime për nxjerrjen e akteve prej Këshillit. Janë përmbushur detyrimet që burojnë nga 59 prej tyre, ndërsa 26 dispozita mbeten për t’u u miratuar sipas rregullimit të duhur”, tha ai.

Sipas tij, pjesa më e madhe e akteve lidhet me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve, vlerësimin etiko-profesional, procedimet disiplinore, kompensimin financiar, administrimin e gjykatave, rritjen e efikasitetit të gjyqësorit dhe komunikimin me median e publikun.

Rusi theksoi se, në fillimet e veprimtarisë së Këshillit, një nga sfidat kryesore ishte plotësimi i vakancave të krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar. Për këtë arsye, institucioni i dha përparësi hartimit të rregullave për rekrutimin, emërimin, vlerësimin dhe zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve.

“Ishte e nevojshme të krijoheshin rregulla mbi të cilat do të kryheshin këto procedura dhe do të plotësoheshin vendet e lira”, tha ai.

KLGJ-ja miratoi gjithashtu rregulla standarde për organigramat dhe përshkrimin e detyrave e përgjegjësive të nëpunësve civilë gjyqësorë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera të sistemit.

“Aktet në ligjore zbatohen si nga struktura e Këshillit, ashtu edhe nga gjykatat, gjyqtarët dhe administrata gjyqësore. Ato rregullojnë menaxhimin e burimeve njerëzore, organizimin e punës, shpërndarjen e çështjeve dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha ai.

Megjithatë, shtoi ai “gjatë punës është shfaqur nevoja për rregullime më të qarta, me përshtatje me ndryshimet ligjore ose për përmirësimin e procedurave”.

Sipas Rusit, ndër fushat ku ende nevojiten akte të reja përfshihen formimi i vazhdueshëm i magjistratëve, papajtueshmëritë ambientale, shpërblimi i paaftësisë, ulja e ngarkesës, pensioni i parakohshëm dhe vlerësimi i veprimtarisë drejtuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër