Fatos Geci ankohet për mosreagimin e institucioneve, thotë se ai dhe familja morën qindra kërcënime me jetë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka deklaruar se Policia e Kosovës dhe Prokuroria ende nuk e kanë njoftuar nëse kanë ndërmarrë veprime lidhur me rastin e tij, pas një postimi që, sipas tij, është pasuar me qindra kërcënime me jetë ndaj tij dhe familjes së tij.

Përmes një reagimi publik, Geci ka shprehur pakënaqësinë për mungesën e informacionit nga institucionet e drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje për trajtimin e rastit edhe pas tri ditësh.

“Deri më sot, as Policia e Kosovës dhe as Prokuroria nuk më kanë njoftuar nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me rastin tim”, ka shkruar Geci.

Ai ka thënë se nuk ka marrë informacion nëse personi të cilin e ka cilësuar si “gazetar” është thirrur për intervistim lidhur me postimin e tij.

“Nuk kam marrë asnjë informacion nëse ‘gazetari’ në fjalë është thirrur për t’u intervistuar lidhur me postimin e tij, pas të cilit unë dhe familja ime kemi marrë qindra kërcënime me jetë”, ka deklaruar deputeti.

Geci ka kërkuar sqarime për mungesën e një përgjigjeje nga institucionet, duke ngritur shqetësime për trajtimin e rasteve që përfshijnë gjuhë të urrejtjes, shpifje dhe nxitje.

“Pse, edhe pas tri ditësh, nuk ka ende një përgjigje të qartë nga institucionet e drejtësisë? Pse gjuha e urrejtjes, shpifjet dhe nxitja nuk po marrin vëmendjen e duhur institucionale?”, ka pyetur ai.

Në reagimin e tij, deputeti i LVV-së ka përmendur edhe ngjarjet e së kaluarës, duke e lidhur shqetësimin e tij me periudhën e viteve 2000 dhe 2001, kur, sipas tij, në publik qarkullonin etiketime politike ndaj personave të caktuar dhe më pas ndodhën vrasje me motive politike.

“Këto janë plagë të rënda të së kaluarës, të cilat na kujtojnë se sa e rëndësishme është që gjuha e urrejtjes dhe nxitja të mos neglizhohen”, ka shkruar Geci.

Ai ka bërë të ditur se do t’i drejtohet me ankesë zyrtare Kryeprokurorit të Shtetit, me kërkesë për sqarime lidhur me trajtimin e kallëzimit të tij.

“Do të kërkoj sqarime se përse, edhe pas tri ditësh, nuk jam njoftuar për shqyrtimin e kallëzimit tim lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe shpifjen, si dhe pse nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka bërë të ditur ai.

Geci ka theksuar se nuk po kërkon trajtim të veçantë për shkak të pozitës së tij si deputet, por zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët.

“Nuk kërkoj privilegje për shkak të pozitës sime. Kërkoj që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë dhe që institucionet përgjegjëse të reagojnë me seriozitet ndaj çdo rasti që mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, ka deklaruar deputeti i LVV-së.

Ai ka theksuar se siguria e tij dhe e familjes nuk duhet të trajtohet si çështje politike, por si çështje e sundimit të ligjit dhe e përgjegjësisë institucionale. “Siguria ime dhe e familjes sime nuk është çështje politike. Është çështje e sundimit të ligjit dhe e përgjegjësisë institucionale”, ka shtuar Geci.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër