Tabaku takon ambasadoren e BE: Studentët të dëgjohen, dhuna ndaj tyre të hetohet

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Sofia Moreira De Sousa.

“Nga vizita tek protestuesit e arrestuar në takim me ambasadoren e BE në Shqipëri me një mesazh të qartë: studentët meritojnë të dëgjohen, kërkesat e tyre meritojnë përgjigje dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, pamjet e përdorimit të forcës dhe lëndimet e protestuesve e gazetarëve kërkojnë hetim të plotë, transparent dhe përgjegjësi konkrete.

“Pezullimi i disa punonjësve të policisë nuk e mbyll çështjen. Duhet zbardhur çfarë ndodhi, kush urdhëroi dhe kush mban përgjegjësi”, theksoi Tabaku.

Tabaku theksoi se kjo është një protestë studentore.

“Pas pakënaqësisë qëndrojnë probleme të grumbulluara ndër vite dhe institucione që e kanë kthyer konsultimin publik në formalitet, ligje jo europiane dhe vendime autoritare”, shkruan ajo.

Tabaku shtoi se integrimi evropian matet edhe me mënyrën si pushteti sillet me qytetarët që e kundërshtojnë.

“Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i të drejtave janë detyrime që duhen përmbushur. Ky proces duhet të përmirësojë, ndryshojë Shqipërinë. Duhet të krijojë një shtet i denjë që respekton lirinë dhe të drejtat e njeriut, lufta ndaj korrupsionit e deri tek zbatimi vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër