Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Gjatë fjalës së tij jashtë ambienteve të SPAK, Berisha tha cilësoi prokurorin e çështjes së tij, Altin Dumani, si “armik të egër të pluralizmit dhe votës së lirë të shqiptarëve”.
Gjithashtu sipas tij, SPAK “u bë mburojë e krimeve më të shëmtuara elektorale”.
“Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, ligji i vendit dhe ligji ndërkombëtar për zgjedhjet nuk ekziston”, tha ai.
Duke iu referuar protestave, Berisha tha se “revolta studentore është shpëtimi i Shqipërisë”, teksa theksoi se zjarrvënës i vendit është kryeministri Edi Rama.
“Protesta, revolta, është misioni i çlirimit të këtij kombi. Pra, ata që djegin Shqipërinë, është Edi Rama, mandatet e tij të krimit të dala nga vota e krimit, janë trafiqet, është narkoshteti me të gjithë shëmtinë e tij”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, zjarrvënësi më i madh në historinë e kombit është Rama.
“Është ai që ka djegur, ka shkatërruar gjatë pushtetit të tij, ëndrrat e rreth 720 mijë të rinjve shqiptarë, të cilët ëndrrën më të bukur të tyre për të lumturuar veten, familjen, shoqërinë dhe Shqipërinë, e morën në shpinë në rrugët e botës. A ka zjarrvënie, a ka dosje më të rëndë se kjo? Nuk ka”, tha Berisha duke shtuar se janë plaçkitur mbi 12 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve.
“Ai është kryezjarrvënësi, ai është transaksionali, ai është korruptori dhe ai është përgjegjësi bashkë me këta, i kësaj katastrofe. Ndaj dhe Partia Demokratike mbështet me të gjithë forcën këtë revoltë, gjer në fitoren e saj”, tha Berisha.
