Shkup, 19 tetor Zhurnal.mk – Sheshi “Delfina” në Vlae ishte vendi ku ndodhi incidenti i rëndë, kur një 13-vjeçar pësoi lëndime të rënda pasi gjatë fundjavës u sulmua nga një grup i madh fëmijësh.
Deri më tani, tre djem të mitur janë thirrur në bisedë informative së bashku me prindërit e tyre, ndërsa edhe tre të tjerë do të thirren si të dyshuar për sulm fizik në grup, në kuadër të hetimit për veprën penale të dhunës. Këtë e konfirmojnë për televizionin Telma nga policia e Shkupit.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 00:30, natën mes së shtunës dhe së dielës. Të nesërmen, pasi nëna e dërgoi fëmijën për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ajo e denoncoi rastin në polici.
MPB: Më 18.10.2026, në orën 15:30, në SPB Shkup, një grua 39-vjeçare ka denoncuar se rreth orës 00:30, në zonën e Vlaes, djali i saj i mitur ishte sulmuar fizikisht nga një grup të miturish, disa prej të cilëve i njihte, ndërsa gjatë sulmit ishte përdorur edhe një send i fortë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Në një deklaratë për portalin Skopje1, nëna ka bërë të ditur se në sulm kanë marrë pjesë të paktën 15 fëmijë, prej të cilëve njëri ishte i njohur për djalin e saj.
Ai ishte “përzgjedhur” si viktimë dhe grupi kishte filluar ta godiste. Gjatë sulmit ishte përdorur edhe një boks metalik, me të cilin të miturit i ishin thyer dy dhëmbë.
Mjekët e kanë udhëzuar fëmijën për ekzaminime shtesë në radiologji, neurokirurgji dhe kirurgji maksilofaciale.
Nëna thotë se fillimisht djali e kishte fshehur ngjarjen, sepse kishte frikë se, nëse e denonconte, dhunuesit do ta sulmonin përsëri.
“Nuk kishte asnjë arsye. Thjesht i kanë thënë: ‘Ja, ky bën’. Njëri është nisur drejt tij, e ka goditur me shuplakë dhe e ka futur në rrethin e formuar nga grupi. Pastaj, siç ma tregonte djali, kanë filluar ta shtyjnë dhe ta kalojnë nga njëri te tjetri, sikur të ishte top, derisa në një moment të gjithë janë vërsulur mbi të. Njëri i ka bërtitur me zë të lartë dhe ka filluar ta godasë me grushte. Më e tmerrshmja është se është përdorur boks metalik”, ka deklaruar nëna e të miturit të sulmuar për Skopje1.
Ky sulm është një tjetër rast në vargun e incidenteve të dhunshme ku si viktimat, ashtu edhe autorët janë të mitur.
Para dhjetë ditësh, një fëmijë u sulmua nga një grup bashkëmoshatarësh në oborrin e një shkolle, në zonën e Bit Pazarit. Në fillim të muajit, një sulm i ngjashëm ndodhi edhe në Gjorçe Petrov.
Rasti më brutal ishte sulmi ndaj një 13-vjeçari në Çair, i cili u godit me thikë dhe, pas një muaji luftë për jetën, ndërroi jetë nga plagët e marra.
