Azizi në “Top Tema”: Prokuroria Publike varet nga fondet që i ndan pushteti ekzekutiv

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 tetor Zhurnal.mk – Në debatin e mbrëmjes në emisionin “Top Tema” morën pjesë katër kandidatët për drejtues të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit: prokurorët Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva, Faton Azizi dhe Trajçe Pelivanov.

I pyetur se cila do të jetë linja e parë e Prokurorisë që ndjek krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend, Faton Azizi theksoi se në fokus të programit të tij është forcimi i kapaciteteve të qendrës hetimore.

“Sipas meje, në këtë mënyrë prokurori publik fiton pavarësi më të madhe në disa aspekte. Këtu përfshihet pavarësia e hetuesve, angazhimi i përhershëm i prokurorëve dhe krijimi i një ekipi rreth prokurorit publik. Këto janë disa parakushte që realisht krijojnë mundësi që prokurori publik të përfshihet në mënyrë më efikase në luftën kundër krimit”, tha Azizi.

I pyetur nëse pret mbështetje financiare për realizimin e këtyre planeve, Azizi tha se fillimisht do të bisedojë me prokurorin publik të shtetit, pasi Prokuroria Publike është institucion që varet nga fondet që i ndan pushteti ekzekutiv.

Për këtë çështje, sipas tij, do të zhvillojë bisedime të hollësishme edhe me ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe, nëse do të jetë e mundur, edhe me kryeministrin.

“Për rezultate nevojitet mbështetje financiare. Luftën kundër krimit e zhvillojmë me burimet që kemi aktualisht. Prokuroria përpiqet t’i ndjekë trendet, por nevojiten më shumë mjete financiare për të arritur rezultate më të mira”, theksoi Azizi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër