Rama: Dhuna nuk është disproporcionale, 200 efektivë policie dhe 80 protestues të lënduar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot në Ministrinë e Arsimit, një takim me ministren Mirela Kumbaro dhe drejtues të gjimnazeve të Tiranës në lidhje me protestat dhunshme të zhvilluara ditëve të fundit në kryeqytet.

Gjatë takimit, Rama u ndal edhe te përdorimi i forcës nga policia ndaj protestuesve, përfshirë të miturit, studentët dhe nxënësit.

Rama tha se rreth 200 efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa numri i protestuesve të lënduar është rreth 80.

“Një nga pikat te e cila insistohet pa pushim është se policia po dhunon protestuesit, policia po përdor forcë disproporcionale, po dhunohen fëmijët tanë, po dhunohen studentët, po dhunohen të miturit. Tani, unë kam sjellë me vete këtu një listë tërë shembujsh konkretë për forcën disproporcionale, ose për atë që quhet karakteristikë e forcës disproporcionale të policisë në raport me protestuesit.

“Dhe ka një fakt shumë të thjeshtë elementar: aty ku përdoret forca disproporcionale, raporti mes të lënduarve në anën e protestuesve dhe atyre në anën e policisë, natyrisht që është një raport i zhdrejtë, ku qartësisht ka shumë më tepër protestues të lënduar sesa ka policë të lënduar. Sot, që flasim, nuk e kam shifrën e fundit, se dua të jem shumë i saktë, po jemi deri afër 200 efektivë policie të lënduar, të plagosur, që kanë shkuar dhe kanë marrë ndihmë në spital, dhe jemi diku te 80 të lënduar të plagosur nga ana e protestuesve, ndër të cilët, ndër të cilët, më pak se gjysma janë student”, tha Rama.

Sipas tij më pak se gjysma e protestuesve të lënduar janë studentë, ndërsa pjesa tjetër i cilësoi si të rinj që nuk janë as studentë dhe as nxënës.

“Të tjerët janë të rinj, patjetër, por aspak studentë, aspak nxënës. Të rinj që i përkasin atij të ashtuquajturit grupit të zjarrit, të rinj të maskuar, të paguar, të sjellë nga periferitë, për të sulmuar policinë dhe për të krijuar frymën e terrorit. Pra, jemi afër 200 policë dhe jemi rreth 80 protestues të lënduar”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër