Në Kuvend sot debat për ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – Zyra e Avokatit të Popullit, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Zyrës së Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot në Kuvend organizon debat tematik për nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Avokatin e Popullit.

Debati do të mbahet në sallën “Boris Trajkovski”, ndërsa në hapje do të mbajnë fjalime kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, Avokati i Popullit, Faton Selami, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, si dhe koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, në kuadër të debatit do të shqyrtohen ndryshimet kryesore të propozuara në ligj, me fokus të veçantë në forcimin e pavarësisë financiare dhe funksionale të institucionit të Avokatit të Popullit, pluralizmin dhe kompetencat e tij.
Në diskutim do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile, përfshirë Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Institutin për Politika Evropiane dhe Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Rinj.
Në agjendë janë paraparë edhe deklarata për mediat nga ora 11:00, ndërsa debati do të përmbyllet me prezantimin e konkluzioneve dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër