Paris, 22 tetor, Zhurnal.mk – Reshjet e dendura të shiut në jug të Francës kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, duke shkaktuar të paktën tre të vdekur dhe mijëra banesa pa energji elektrike.
Autoritetet rajonale njoftuan sot se, si pasojë e stuhisë, niveli i ujit ishte rritur në nivele të papara më parë.
Sipas autoriteteve, nga stuhia kanë humbur jetën tre persona dhe një tjetër është plagosur.
Gazeta “La Provence”, duke iu referuar autoriteteve, raportoi se një grua 86-vjeçare dhe një grua 26-vjeçare u gjetën të mbytura në bodrumin e një ndërtese në Lançon-Provence.
Ndërkohë, një person 75-vjeçar humbi jetën nga stuhia në Saint-Mitre-les-Remparts.
Autoritetet rajonale bënë të ditur se rreth 250 persona në Arles dhe Saint-Martin-de-Crau ishin vendosur në qendra të posaçme, ku mund të qëndrojnë përkohësisht pasi janë larguar nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Disa rrugë dhe linja hekurudhore janë bllokuar, ndërsa janë dëmtuar edhe linjat e energjisë elektrike dhe telefonisë, njoftuan autoritetet.
Stuhia “Adam” shkaktoi më herët, përmbytje të rënda edhe në lindje të Spanjës, ku të paktën pesë persona humbën jetën.
