Reshje rekord dhe përmbytje, Queensland nën alarm

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Kanberra, 22 tetor, Zhurnal.mk – Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në juglindje të Queensland-it, në Australi, duke mbuluar rrugët, bllokuar automjete dhe detyruar autoritetet t’u kërkojnë banorëve të disa zonave të përgatiten për t’u larguar nga banesat, sipas “Reuters”.

Sipas raportimeve, reshjet u intensifikuan gjatë natës dhe vijuan fuqishëm sot në mëngjes, veçanërisht në zonat përreth Brisbanes, kryeqytetit të Queensland.

Në Caboolture, në veri të Brisbanes, u regjistruan 263 milimetra shi brenda 24 orëve deri në orën 09:00 të mëngjesit.

Në disa zona, sasi shumë të mëdha reshjesh ranë brenda tri orëve.

Në Caboolture u regjistruan 172 milimetra shi në tri orë, ndërsa në zonën e Morayfield u matën 168 milimetra.

Autoritetet paralajmëruan për stuhi të forta dhe përmbytje të rrezikshme në Brisbane, Caboolture, Ipswich, Nambour, Samford dhe zona të tjera përreth.

Byroja Australiane e Meteorologjisë, paralajmëroi se reshjet e dendura dhe stuhitë mund të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.

Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i paqëndrueshëm mund të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme.

Meteorologët shpjeguan se masat e lagështa të ajrit, të kombinuara me sisteme atmosferike, që favorizojnë formimin e reve dhe stuhive, po sjellin reshje të shumta në Queensland dhe në pjesë të verilindjes së shtetit fqinj, Uellsit të Ri Jugor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër