Berisha: PD mbështet protestën e studentëve, FRPD ishte ndër iniciatorët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të Kuvendit tha se sot deputetët e opozitës vendosën të përfaqësojnë në Parlament kërkesat e studentëve dhe gjimnazistëve që protestojnë.

Sipas tij “Shqipëria është narkoshteti më i konsoliduar në Europë dhe në botë”.

Berisha tha se Parlamenti nuk ka legjitimitet, pasi ka dalë nga një “farsë elektorale” dhe është kthyer në mburojë të abuzimeve me paratë e shqiptarëve.

“Ky është parlamenti i krimit. Ky parlament nuk mund të vazhdojë. Ky parlament nuk ka legjitimitet. Ky parlament ka dalë nga një farsë elektorale. Ky parlament është shndërruar në mburojë të vjedhjeve të paimagjinueshme të shqiptarëve”, tha ai.

Sa i takon protestave, Berisha tha se Partia Demokratike qëndron plotësisht në mbështetje të protestuesve dhe në mbrojtje të kërkesave të tyre.

“Ndaj dhe fundi i tij, fundi i sistemit, është thirrje e përgjithshme e çdo shqiptari. Sot deputetët e opozitës bënë gjithçka që të sillnin në parlament zërin e studentëve, gjimnazistëve, të cilët siç i shihni ju, janë trima me fletë. Kurrë nuk ka parë bulevardi i Tiranës dhe rrugët e saj vajza dhe djem më trima se këta gjimnazistë dhe studentë, dhe e sigurt që këta do ta fitojnë këtë betejë. Partia Demokratike qëndron totalisht në mbështetje të tyre dhe në mbrojtje të tyre”, tha Berisha.

I pyetur në lidhje me thirrjet kundër PD-së në protestë, Berisha tha se “ne nismën e kësaj proteste ka qenë Forumi Rinor i Partisë Demokratike, një nga iniciatorët i pranishëm me listë tek Ministria e Drejtësisë, tek Ministria e Arsimit”.

“Ne jemi aty dhe jemi fuqishëm. Prandaj në qoftë se ke lexuar reagimet e para, që të gjitha ishin t’ia faturonin Partisë Demokratike. E vërteta është se protesta është e studentëve dhe gjimnazistëve, por Partia Demokratike i mbështet ata fuqishëm”, tha ai.

Sa i përket sloganeve kundër opozitës, Berisha tha se pas tyre qëndron qeveria.

“Edi Rama përpiqet me çdo kusht që për të lehtësuar sadopak barrën kriminale që ka, ta transferojë tek Partia Demokratike dhe tek Berisha”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha gjithashtu se kryeministri Edi Rama “organizoi në mendjen e tij, djegien e dy selive”.

Ai shtoi se “deputetët e PD-së tërësisht në protestë, drejtuesit e saj, anëtarët e kryesisë, Këshilli Kombëtar, që të gjithë janë në protestë, do jenë në protestë dhe asgjë nuk e ndal dot Partinë Demokratike pa mbështetje të plotë, totale të kësaj proteste”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër