Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksoi sot rëndësinë e dialogut, respektimit të ligjit dhe përgjegjësinë e përbashkët në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në mesazhin ndarë nga ministrja Pirdeni, theksohet se e drejta për të kundërshtuar dhe respekti për ligjin e institucionet duhet të bashkëjetojnë.
“E drejta për të kundërshtuar dhe respekti për ligjin e institucionet nuk mundet kurrsesi të përjashtojnë njëra-tjetrën”, theksoi Pirdeni.
Pirdeni nënvizoi se, në këtë etapë të procesit të integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë për gatishmërinë e qytetarëve për të dëgjuar njëri-tjetrin.
“Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne, për gatishmërinë tonë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për kurajën për të dialoguar dhe për përgjegjësinë e përbashkët për të çuar përpara vendin që duam t’u lëmë brezave aktualë dhe atyre që do të vijnë”, u shpreh Pirdeni.
