Misajllovski: Uniforma është nder, betimi është detyrim, ndërsa shërbimi ndaj atdheut dëshmohet me vepra

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – Uniforma është nder, betimi është detyrim, ndërsa shërbimi ndaj atdheut është përgjegjësi që dëshmohet me vepra, tha ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski në ceremoninë e dhënies së betimit të kadetëve nga gjenerata e 30-të jubilare e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski”, duke theksuar se forca më e madhe e Armatës është personeli i saj i trajnuar, i motivuar dhe profesional.

Duke iu drejtuar kadetëve, familjeve të tyre dhe mysafirëve, Misajllovski theksoi se betimi solemn përfaqëson hapin e parë drejt një karriere oficeri në të cilën nderi, përgjegjësia dhe shërbimi ndaj shtetit do të jenë vlerat kryesore.

Në kontekstin e përkujtimit të ardhshëm të 23 tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase dhe shënimit të fundit të 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, ministri theksoi se këto data historike dëshmojnë për këmbënguljen e popullit maqedonas në luftën për liri dhe shtet të pavarur.

Sipas tij, vlerat e njëjta janë themel edhe i profesionit të oficerëve, i cili kërkon diciplinë, përgatitje fizike dhe psikologjike, njohuri dhe përgatitje për vendimmarrje dhe marrje të përgjegjësisë.

Duke folur për zhvillimin e sektorit të mbrojtjes, ministri theksoi se Ministria e Mbrojtjes, Shtatmadhoria dhe Akademia Ushtarake mbeten të përkushtuara për përmirësimin e kushteve për arsim dhe trajnim, si dhe për modernizimin e Akademisë dhe Armatës.

“Angazhimi ynë është i qartë dhe i padiskutueshëm, një Armatë më e fortë, më e pajisur dhe më efikase, plotësisht e përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave moderne të sigurisë”, tha Misajlovski, duke shtuar se investimi në potencialin njerëzor mbetet përparësi kryesore sepse kadetët e sotëm do të jenë oficerët që do ta udhëheqin Armatën në të ardhmen.

Misajllovski u dërgoi porosi edhe kadetëve nga Bosnja dhe Hercegovina, duke vlerësuar se prania e tyre është konfirmim i rolit të Akademisë Ushtarake si qendër e njohurive, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të besimit midis oficerëve të ardhshëm nga vendet partnere dhe aleate.

Dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Nenad Taneski, theksoi në fjalën e tij se betimi është shumë më tepër sesa një akt ceremonial dhe nënkupton një zotim personal për t’i shërbyer atdheut dhe për të respektuar vlerat e oficerëve.

“Betimi nuk është vetëm një akt ceremonial. Është një fjalë nderi, një zotim personal dhe një premtim se atdheu, detyra dhe dinjiteti do të vijnë gjithmonë para interesit personal”, tha Taneski, duke iu drejtuar kadetëve të gjeneratës së 30-të.

Dekani gjithashtu theksoi se në periudhën e kaluar janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në modernizimin e Armatës, përmes furnizimit të pajisjeve moderne, investimeve në infrastrukturë dhe përmirësimit të statusit të personelit ushtarak. Ai vlerësoi se zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk bazohet vetëm në armatim, por mbi të gjitha në njerëz, duke theksuar rëndësinë e investimeve në arsim dhe krijimin e gjeneratave të reja të oficerëve.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kadetëve, dekani porositi se profesioni i oficerëve kërkon jo vetëm aftësi udhëheqëse, por edhe standarde të larta morale.

“Një oficer i mirë nuk njihet vetëm nga mënyra se si komandon, por edhe nga mënyra se si i trajton njerëzit që i janë besuar. Ji i drejtë. Ji i ndershëm. Respekto të tjerët. Mos ki frikë të marrësh përgjegjësi”, theksoi Tanevski.

Në solemnitet betim dhanë gjithsej 28 kadetë nga klasa e 30-të jubilare e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski”, ndërsa mësimin do ta ndjekin edhe gjashtë kadetë nga Bosnja e Hercegovina.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër