Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – Në Kuvend sot Grupi Parlamentar për bashkëpunim me parlamentet e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve realizoi takim me ambasadoren jorezidente të Republikës së Kubës, Marieta Garsia Hordan, me seli në Sofje, e shoqëruar nga Roberto Viskaino, sekretar i parë në Ambasadë.
Në takim, siç njoftoi pres shërbimi i Kuvendit, morën pjesë kryetari i Grupit, Kire Bozhinovski, dhe anëtarët e mëposhtëm: Gracija Bakraçevska, Sonja Mirakovska, Emil Spasovski, Amar Mecinoviq dhe Rijad Shaqiri.

Kryetari i Grupit, Bozhinovski, theksoi se diplomacia parlamentare është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe miqësisë, por edhe për mbështetjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat, pavarësisht distancës gjeografike midis vendeve. Ai shtoi se Grupi Parlamentar i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të përgjithshëm me Republikën e Kubës.

Ambasadorja Hordan shprehu mirënjohje për takimin dhe ndau me të pranishmit informacionin në lidhje me situatën aktuale në Kubë, pas bllokadës së këtij viti nga SHBA-ja.
Në takim, bashkëbiseduesit ishin unanimë se është e nevojshme të intensifikohen takimet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve, në fushën e shëndetësisë dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës shoqërore.
