9
Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – Pavarësi më e madhe financiare, funksionale dhe organizuese për Avokatin e Popullit, kërkohet me Ligjin e ri për Avokatin e Popullit, që ishte temë diskutimi sot në Kuvend. Ombudsmani Faton Selami thotë se këto ndryshime janë parakusht që në të ardhmen ky institucion të aplikojë për akreditim me status A.
“Këto ndryshime dhe plotësime janë parakusht që në të ardhmen të aplikojmë për akreditim për status A të institucionit Avokati i Popullit, sepse në rajon vetëm Mali i Zi dhe Maqedonia janë me status B. Ndërkohë, sipas informatave që i kemi, Mali i Zi muajin e kaluar e solli Ligjin e ri për Avokatin e Popullit në pajtim me standardet ndërkombëtare, kështu që në këtë drejtim tashmë stagnojmë.”, – deklaroi avokati i Popullit, Faton Selami.
Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, shprehu mbështetjen e plotë për institucionin e Ombudsmanit dhe ndryshimet e propozuara të ligjit.
“Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, jam këtu për të shprehur mbështetjen time institucionale ndaj institucionit të Avokatit të Popullit, në përpjekjet për përmirësimin e kornizës ligjore që u mundëson përmbushje të misionit të tyre. Gjithashtu, theksoj se kontributi i institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë, ekspertëve, akademisë dhe shoqërisë civile është po aq jetik për të siguruar që këto zgjidhje ligjore janë të zbatueshme, cilësore dhe në interes të plotë të qytetarëve.”, – theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Ndryshimet e propozuara, mes tjerash, saktësojnë edhe procedurën për miratim të buxhetit për institucionin. Në raste kur ka mospajtime mes Ministrisë së Financave dhe Avokatit të Popullit lidhur me vlerën e buxhetit të paraparë, në fund Kuvendi duhet të vendosë se cili buxhet do të miratohet. Kjo, sipas Faton Selamit, është praktikë edhe në rajon për institucionin e Avokatit të Popullit.
