Balla: Partia Demokratike po strehon persona të kërkuar nga policia për zjarrvënie

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat pas seancës në Kuvend, foli për zgjedhjet e ardhshme vendore, protestat e dhunshme, reagimin e Policisë së Shtetit dhe masat e paralajmëruara nga qeveria.

Balla deklaroi se zgjedhjet vendore pritet të mbahen mes 15 prillit dhe 15 majit, duke ftuar partitë politike dhe lëvizjet e tjera, përfshirë lëvizjen studentore, të marrin pjesë në garën elektorale për të matur mbështetjen që kanë në popull.

“Le të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, në Tiranë apo në gjithë Shqipërinë, ta masin njëherë se sa e kanë mbështetjen”, u shpreh Balla, duke shtuar se zgjedhjet parlamentare të radhës pritet të mbahen mes 15 prillit dhe 15 majit 2029. Ai theksoi se zgjedhjet përcaktohen nga Kushtetuta dhe se ato mund të zhvillohen edhe nëse nuk marrin pjesë të gjitha partitë politike, duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

I pyetur për pamjet e publikuara në media, ku sipas gazetarëve policia shfaqet duke përdorur forcë dhe plumba gome në distancë të afërt, Balla kërkoi mbështetje për Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e institucioneve. Ai tha se pretendimet për tejkalim të kompetencave duhet të verifikohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe institucionet e drejtësisë.

“Policia e Shtetit është institucioni që garanton sigurinë e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Balla, duke shtuar se Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë qenë të qartë për qëndrimin e tyre gjatë protestave.

Balla kritikoi gjithashtu vendimin e një prokurori të Tiranës për një çështje që, sipas tij, lidhet me djegien e institucioneve, duke kërkuar vëmendjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ai vlerësoi SPAK-un, duke e cilësuar si institucionin që meriton respekt dhe mbështetje për mënyrën se si ushtron detyrën.

Duke iu përgjigjur pyetjes për një 18-vjeçar të goditur me shkop gome, Balla e cilësoi të papranueshme përfshirjen e të miturve në akte dhune dhe u bëri thirrje gazetarëve t’i drejtohen Prokurorisë së Tiranës për të verifikuar pretendimet e tij. Ai ngriti akuza ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, duke pretenduar se të mitur 17-vjeçarë mund të jenë paguar për të marrë pjesë në protestë dhe për të ushtruar dhunë ndaj institucioneve. Balla përmendi shifrën prej 100 mijë lekësh për person, ndërsa këto pretendime mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.

I pyetur për personat që mbronin godinën e Partisë Socialiste gjatë protestës, Balla tha se ata nuk kishin lidhje me Ministrinë e Brendshme dhe as me shtetin. Ai akuzoi gjithashtu Partinë Demokratike se po strehonte persona të kërkuar nga policia për zjarrvënie.

Balla akuzoi Sali Berishën për nxitjen e sulmeve ndaj selisë së Partisë Socialiste dhe deklaroi se PS do të jetë në garë në zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe ato parlamentare të vitit 2029. I pyetur për gishtin e dëmtuar, nëse ishte lënduar gjatë përplasjes me deputetin Flamur Noka, Balla u përgjigj me ironi: “Po kaq mund të bëjë Flamur Noka, deri te gishti vjen”.

Në lidhje me masat e paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama për kufizimin e lëvizjes dhe pikëpyetjet e ngritura për përputhshmërinë e tyre me vlerat e Bashkimit Europian, Balla tha se Shqipëria duhet të marrë masa pa vonesa, duke iu referuar praktikave të Italisë dhe Francës.

“Unë dua nga qeveria, se nuk jam në qeveri, po si kryetar i grupit dua nga qeveria ne të paktën në këtë situatë të bëjmë një të dhjetën e asaj që po bën kryeministrja Meloni apo presidenti Makron në Francë”, u shpreh ai.

Balla tha se masat që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare do të mbështeten te modelet e këtyre vendeve dhe do të jenë më të përmbajtura. Në fund, ai bëri të ditur se i kishte kërkuar Drejtorit të Policisë t’i kushtonte vëmendje të veçantë sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit nga protestat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër