Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, kunati i dyshuar ende në arrati

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Arlinda Zekaj u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati.

Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.

Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Arlinda Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Në letrën e cila mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, viktima kishte paralajmëruar për rrezikun dhe shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të merrej një jetë njerëzore.

“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo në letër, duke e cilësuar kërkesën si “shpresën time të fundit”.

Në parashtresë, Arlinda kishte kërkuar hetimin e përgjegjësive institucionale dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete lidhur me çështjen për të cilën kishte kërkuar ndihmë. Sipas informacioneve të bëra publike, ajo më herët kishte kërkuar ndihmën e Policisë për dhunë në familje.

Po ashtu, ajo kishte kërkuar veprime urgjente për shkak të pretendimeve për dështime në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor që lidhej me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë.

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se parashtresa është pranuar më 22 tetor nga kryeprokurorja e kësaj prokurorie, e cila ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, qëllimi është vlerësimi i pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent edhe institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale. Këtyre institucioneve u është kërkuar shqyrtimi i pretendimeve dhe verifikimi i lëshimeve të mundshme apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale.

Sa i përket kërkesës së Arlindës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor që lidhej me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka bërë të ditur se vendimi është ekzekutuar me ndërmjetësimin e prokurores kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e të ndjerës dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore.

Pas vrasjes së Arlindës ka reaguar edhe avokatja Adelina Hoxha, e cila e kishte përfaqësuar atë në raste të dhunës në familje. Përmes një postimi, Hoxha ka bërë të ditur se viktima i ishte përgjëruar, duke i thënë se jeta nuk kishte kuptim për të pa djalin e saj.

“Një grua që mu përgjërua të bëj gjithçka, se nuk i duhet jeta pa djalin e saj… Sonte u vra nga kunati me sëpatë. Por jo, Arlindën e vrau shteti. Nesër për ju të gjitha dëshmitë”, ka shkruar avokatja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër