Athinë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Drejtësia greke ka nisur procedimin penal ndaj 59 personave, të dyshuar si pjesëtarë të një rrjeti të gjerë kriminal që dyshohet se ka organizuar një skemë mashtrimi fiskal me vlerë afro 100 milionë euro, duke përdorur si mbulesë një zinxhir furrash buke dhe pastiçerish në Greqi, raportoi agjencia greke e lajmeve, ANA.
Mes të dyshuarve është edhe pronari i rrjetit “Horiatiko”.
Ata akuzohen, ndër të tjera, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, mashtrim, evazion fiskal, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Disa prej tyre përballen edhe me akuza për trafikim seksual, vjedhje me dhunë, mashtrim dhe mospagim të kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Sipas hetuesve të cituar nga televizioni publik ERT, furrat e bukës dyshohet se përdoreshin për të deklaruar artificialisht të ardhura dhe për të lëshuar fatura shitjeje, me qëllim pastrimin e parave të siguruara nga veprimtari të tjera.
Mes personave të ndaluar ka edhe kontabilistë dhe një ish-sindikalist.
Pronari, i cili sipas raportimeve ishte dënuar edhe më parë, zotëronte gjithashtu disa klube nate dhe restorante në Athinë dhe rrethinat e saj, si dhe në ishujt turistikë Mykonos, Rodos dhe Zakinthos.
“Horiatiko” është një zinxhir grek furrash buke dhe pastiçerish me dhjetëra pika shitjeje, veçanërisht në Atikë, rajonin që përfshin Athinën.
