Tiranë, 28 tetor, Zhurnal.mk – Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muça, prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme projektligjin “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual”, të bërë në Paris më 26 janar 1982, të cilit Shqipëria i është bashkuar me ligjin nr. 9852, datë 26 dhjetor 2007.
Gjatë prezantimit, Muça theksoi se ndryshimet synojnë përditësimin dhe përmirësimin e standardeve që lidhen me kontrollin shtetëror portual të anijeve në Republikën e Shqipërisë, duke përafruar kuadrin kombëtar me kriteret dhe kërkesat ndërkombëtare.
Ajo shpjegoi se përditësimi i memorandumit sjell standarde më të avancuara për kontrollin teknik të anijeve që lundrojnë dhe ankorohen në portet shqiptare.
Këto standarde lidhen jo vetëm me kushtet e anijeve, por edhe me sigurinë teknike të tyre, sigurinë e lundrimit dhe mbrojtjen e jetës e të kushteve të punës së ekuipazheve.
Sipas Muçës, përmirësimi i kuadrit rregullator do të rrisë kapacitetet e autoriteteve shqiptare përgjegjëse për kontrollin portual, duke mundësuar zbatimin e kritereve të përcaktuara nga konventat dhe standardet ndërkombëtare.
Ajo e cilësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht për Kapitullin 14, që lidhet me transportin.
Muça nënvizoi se një nga objektivat është përgatitja e Shqipërisë për anëtarësimin në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit, duke përafruar legjislacionin dhe praktikat e kontrollit shtetëror portual me standardet e organizatës.
Ajo theksoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, po punon për përafrimin e standardeve dhe përgatitjen e masave të nevojshme për zbatimin e këtij akti.
Sipas zëvendësministres, përditësimi i standardeve do të ndihmojë në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së transportit detar, si dhe në forcimin e rolit të Shqipërisë në rajon, duke garantuar që anijet që prekin portet shqiptare të përmbushin kriteret e kërkuara ndërkombëtarisht.
Muça sqaroi gjithashtu se nisma lidhet me përgatitjet për anëtarësim dhe jo me përmbushjen e kushteve të një anëtarësimi tashmë të realizuar. Ajo bëri të ditur se po punohet për të plotësuar kërkesat përkatëse, ndërsa detyrimet dhe pasojat që mund të lidhen me anëtarësimin do të vlerësohen në përputhje me kuadrin përkatës.
Projektligji synon kështu të kontribuojë në procesin e integrimit evropian, në standardizimin e kontrollit portual dhe në përmirësimin e sigurisë e të cilësisë së transportit detar në Shqipëri.
