Ka përfunduar votimi për zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë për Krim dhe Korrupsion

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Ka përfunduar votimi për zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku 187 prokurorë publikë kanë pasur të drejtë vote. Në garë për këtë pozitë janë pesë kandidatë: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski. Votimi u zhvillua drejtpërdrejt dhe në mënyrë të fshehtë, në Prokurorinë Publike të Republikës dhe në katër prokuroritë e larta në Shkup, Gostivar, Shtip dhe Manastir.

Të drejtën e votës e ushtroi edhe prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, i cili e vlerësoi procesin si të rëndësishëm dhe demokratik, duke theksuar se të pesë kandidatët janë profesionistë të dëshmuar dhe se cili do nga ata të zgjidhet, nuk do të jetë zgjedhje e gabuar.

“Shpresoj që i zgjedhuri të jetë prokuror publik që do t’u përgjigjet me përkushtim detyrave që e presin dhe se së bashku do të kontribuojmë, para së gjithash, në forcimin e besimit dhe në dëshmimin e qartë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, – theksoi kryeprokurori, Nenad Saveski.

Pas grumbullimit dhe numërimit të votave nga njësitë e lartpërmendura zgjedhore do të shpallen rezultatet ku do të dihet se kush do ta drejtojë Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Procedura e zgjedhjes së prokurorit të ri zhvillohet për shkak të përfundimit të mandatit të shefit aktual, Islam Abazi.

artikuj të ndërlidhura