Mungojnë mbi 7 mijë kilogramë kanabis medicinal në Strumicë, kallëzime penale ndaj dy personave

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Strumicë, 28 tetor Zhurnal.mk – Një mungesë prej 7.813,49 kilogramësh lule të thata të kanabisit medicinal është konstatuar gjatë një kontrolli në një subjekt juridik në rajonin e Strumicës. Për rastin janë ngritur kallëzime penale ndaj kompanisë dhe drejtuesit të saj.

Sipas njoftimit të SPB Strumicë, kallëzim penal është paraqitur kundër një personi juridik nga fshati Borisovë, në Komunën e Novo Sellës, si dhe kundër V.K. nga fshati Novo Sellë, me qëndrim në Strumicë, i cili drejton subjektin juridik.

Ata dyshohen për vepra penale në bazë të nenit 95-v, paragrafët 1 dhe 2, të Ligjit për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope.

Gjatë kontrollit në ambientet ku ruhej lulja e thatë e kanabisit medicinal, nëpunësit policorë të SPB Strumicë, së bashku me zyrtarët e komisionit kompetent pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kanë konstatuar mungesë të dokumentacionit për personelin e angazhuar, si dhe të dokumentacionit tjetër të detyrueshëm.

Përveç parregullsive administrative, gjatë kontrollit është konstatuar edhe mungesa e 7.813,49 kilogramëve lule të thata të kanabisit medicinal.

Hetimet dhe procedurat për rastin do të zhvillohen në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse.

artikuj të ndërlidhura