Prishtinë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka organizuar ceremoninë e lansimit të Platformës Nacionale të Identitetit Elektronik dhe Kuletës Digjitale, raporton Ekonomia Online. Në këtë ceremoni, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se digjitalizimi mundëson që institucionet t’u ofrojnë shërbime qytetarëve kudo dhe kurdo, duke ua kursyer kohën dhe duke eliminuar nevojën për vizita fizike në institucione.
“Nga shkuarja në institucione te qasja në shërbimet që ato ofrojnë kudo e kurdo, digjitalizimi praktikisht mundëson ardhjen e institucionit te qytetari në vend se anasjelltas. Kur flasim për digjitalizimin, mendojmë për kohën që mund t’ja kursejmë qytetarit, për rrugën që nuk do t’i duhet ta bëjë, për punën që do të mund të përfundojë kudo që ai apo ajo ndodhet, për dokumentin që nuk do t’i duhet ta shtypë.
Sot me lançimin e platformës kombëtare të identitetit elektronik, kuletës digjitale (Digital Wallet) dhe aplikacionit për nënshkrimin elektronik (e-Sign), Republika e Kosovës shënon një hap të rëndësishëm në transformimin e saj digjital. Në një kohë kur gjithnjë e më shumë veprime të përditshme kryhen në internet, është e domosdoshme që në mjedisin digjital të kemi mënyra sa më të sigurta dhe të besueshme për të dëshmuar identitetin tonë dhe për të nënshkruar dokumentet e rëndësishme.
Identifikimi elektronik u mundëson qytetarëve të dëshmojnë identitetin e tyre në mënyrë të sigurt në mjedisin digjital. Kuleta digjitale krijon mundësi për përdorimin e identitetit dhe të kredencialeve, ndërsa nënshkrimi elektronik mundëson firmosjen e dokumenteve pa pasur nevojë për letër dhe prani fizike. Këto zgjidhje përbëjnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së besimit digjital të Kosovës, mbi të cilën do të mund të ndërtohen shërbime më të avancuara, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Gjatë viteve të fundit kemi bërë përparim të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve publike. Përmes platformës e-Kosova, sot qytetarëve dhe bizneseve u ofrohen mbi 330 shërbime digjitale, duke reduktuar kështu nevojën për vizita në institucione, dokumente fizike dhe procedura të panevojshme. Tani me identitetin dhe nënshkrimin elektronik po lëvizim drejt gjithnjë e më shumë shërbimeve që mund të përfundohen tërësisht në mënyrë digjitale. Me zgjerimin e shërbimeve, për bashkëkombësit tanë do të krijohen më shumë mundësi për të kryer punë nga vendet ku jetojnë e punojnë ata.
Të nderuar të pranishëm, zhvillimi i kësaj platforme ka nisur në Ministrinë e Ekonomisë dhe ka vazhduar dhe është finalizuar në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në bashkëpunim edhe me shumë institucione e partnerë tanë. Dua të falënderoj veçanërisht Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti përmes fondeve IPA, si dhe të gjitha ekipet e profesionistët që kanë kontribuar në realizimin e tij. Sot po hapet një fazë e re e zhvillimit dhe zgjerimit të shërbimeve që do të mbështeten në këtë platformë, e vlera e së cilës do të rritet me integrimin e gjithnjë e më shumë shërbimeve publike dhe përdorimeve nga bizneset.
Mirëpo, zhvillimi i këtyre shërbimeve duhet të shoqërohet, të nderuar të pranishëm, me përgjegjësi të lartë për sigurinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe besueshmërinë e sistemeve. Besimi i qytetarëve ndërtohet çdo ditë përmes funksioneve që funksionojnë, përmes institucioneve që përgjigjen dhe shërbimeve efikase që e respektojnë kohën dhe dinjitetin e secilit”, tha Kurti.
Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, bëri të ditur se ky projekt është mbështetur financiarisht nga BE-ja me 3.2 milionë euro, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe integrimit evropian të Kosovës.
“Jam krenar të them se kjo është bërë e mundur falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, në vlerë prej 3.2 milionë eurosh. Megjithatë, nëse e shohim pamjen e përgjithshme, ky investim është pjesë e partneritetit shumë më të gjerë të BE-së me Kosovën. Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, Bashkimi Evropian ka dhënë më shumë se 3.7 miliardë euro mbështetje që nga viti 1999, duke ndihmuar Kosovën të modernizohet, të zbatojë reforma dhe të përparojë në rrugën e integrimit evropian. Falë këtij partneriteti, qytetarët e Kosovës tashmë mund të kenë një identitet digjital të sigurt në telefonat e tyre, ashtu siç e përmendi edhe kryeministri. Ata mund ta përdorin atë për të nënshkruar dokumente në mënyrë elektronike, me të njëjtin efekt juridik sikurse nënshkrimi me dorë, si dhe për t’u kyçur në mënyrë të sigurt në shërbime të tilla si E-Kosova, përmes EID-së së ruajtur në Portofolin Digjital të Kosovës. E gjithë kjo është pa pagesë. Për bizneset në Kosovë, kjo nënkupton efikasitet më të madh, më pak dokumentacion dhe produktivitet më të lartë. Kompanitë, punonjësit e tyre dhe klientët do të mund ta vërtetojnë identitetin e tyre online, të nënshkruajnë dokumente elektronike me fuqi ligjore dhe të kenë qasje të sigurt në shërbime dhe portale, pa pasur nevojë për dokumentacion fizik. Një identitet digjital i besueshëm është thelbësor për një shoqëri dhe ekonomi moderne. Ai mundëson që shërbimet publike të kalojnë plotësisht në internet dhe u jep bizneseve dhe klientëve besimin për të bashkëvepruar në mënyrë të sigurt në botën digjitale. Për Kosovën, sistemi EID gjithashtu mbështet përafrimin më të ngushtë me standardet evropiane dhe Tregun e Përbashkët Digjital të BE-së. Ai është në përputhje me rregulloren e BE-së për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, duke përbërë një hap konkret teknik në rrugën e integrimit evropian të Kosovës dhe duke hedhur themelet për përdorimin e tij të ardhshëm ndërkufitar. Ky është gjithashtu një hap i rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së. Ai kontribuon në angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin e sistemeve kombëtare të identitetit digjital dhe kuletave digjitale, të cilat mund të funksionojnë së bashku në të gjithë rajonin. Vetëm teknologjia nuk i ndryshon jetët; ajo që bën ndryshimin është përdorimi i saj në mënyrën e duhur. I inkurajoj institucionet publike që ta integrojnë EID-në dhe nënshkrimet elektronike në shërbimet e tyre, kompanitë që t’i pranojnë ato dhe qytetarët që ta pajisen dhe ta përdorin EID-në e tyre”, tha ai.
Ndërsa Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, njoftoi se nga dita e hënë e javës së ardhshme qytetarët do të mund të pajisen me identitet elektronik në zyrat e regjistrimit civil, fillimisht në shtatë qendrat rajonale.
Ai bëri të ditur se identiteti elektronik do të ruhet në kuletën digjitale, e cila është në dispozicion për telefonat Android dhe iOS, ndërsa aplikacioni iSIGN do të mundësojë nënshkrimin elektronik edhe në telefonat e mençur, edhe në kompjuterë.
“Në jetën tonë të përditshme, përmes telefonit komunikojmë, paguajmë dhe kryejmë shumë nga punët tona. Por kur duhet ta dëshmojmë identitetin apo ta nënshkruajmë një dokument, shpesh ende na duhet të paraqitemi fizikisht apo të përdorim dokumente në letër. Sot po bëjmë një hap të rëndësishëm që edhe këto veprime të mund t’i kryejmë në mënyrë digjitale. Po lançojmë një nga shtyllat më të rëndësishme të transformimit digjital të qeverisë dhe shtetit tonë: platformën kombëtare të identifikimit elektronik eID dhe kuletën digjitale të Kosovës. Identiteti elektronik është një nga themelet e besimit dhe shërbimeve në transaksionet digjitale. Përmes autentifikimit të fortë elektronik, qytetarët do të mund të identifikohen dhe të kenë qasje të sigurt në shërbimet e sistemeve digjitale, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Përmes nënshkrimit elektronik, qytetarët do të mund të nënshkruajnë dokumente nga distanca, ndërsa përmes vulës elektronike, bizneset dhe organizatat do të mund të vulosin dokumentet e tyre në mënyrë digjitale. Kjo hap rrugën për largimin gradual të letrës dhe digjitalizimin e plotë të proceseve administrative dhe atyre afariste. Një komponent i rëndësishëm i sistemit që po lançojmë është kuleta digjitale e Kosovës. Ashtu siç në kuletën fizike mbajmë dokumente që dëshmojnë identitetin apo kualifikimet tona, kuleta digjitale do të na mundësojë t’i ruajmë dhe përdorim këto dëshmi në formë elektronike. Fillimisht ajo do të përdoret për identitetin elektronik, ndërsa në të ardhmen do të mund të përfshijë edhe kredenciale të tjera të verifikueshme si patentë shoferin, diplomat dhe certifikatat profesionale.Të nderuar të pranishëm, nga dita e hënë e javës së ardhshme, qytetarët do të mund të pajisen me identitet elektronik përmes zyrave të regjistrimit civil, fillimisht në shtatë qendrat rajonale, për të vazhduar më pas edhe në komunat e tjera. Identiteti elektronik do të ruhet në kuletën digjitale që është në dispozicion për telefonat Android dhe iOS, ndërsa aplikacioni iSIGN mundëson nënshkrimin elektronik si në telefonat e mençur ashtu edhe në kompjuterë me sisteme operative Windows, macOS dhe Ubuntu. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se identiteti elektronik dhe kuleta digjitale tashmë janë integruar në platformën e-Kosova dhe ofrohen falas për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo u mundëson qytetarëve të kyçen në e-Kosova në mënyrë të sigurt, pa fjalëkalim, si dhe të nënshkruajnë dokumente elektronikisht, qoftë si veprim i veçantë, qoftë si pjesë e një shërbimi publik. Një nga rastet e para konkrete të implementuara është integrimi i nënshkrimit elektronik në procesin e regjistrimit të bizneseve. Lançimi i sotëm shënon fazën e parë të vendosjes së përdorimit të platformës. Në vazhdim do të punohet për lëshimin e vulave elektronike për biznese dhe organizata, përfundimin e proceseve përkatëse të certifikimit dhe kualifikimit, si dhe zgjerimin e integrimit me shërbimet publike dhe private. Një prioritet i veçantë do të jetë harmonizimi me kornizën evropiane të identitetit digjital eIDAS 2 dhe me kuletën evropiane të identitetit digjital, me synimin që në të ardhmen identiteti elektronik dhe shërbimet e besuara të Kosovës të mund të përdoren edhe përtej kufijve tanë. Kjo platformë është e rëndësishme për modernizimin e administratës publike dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale. Njëkohësisht është pjesë e zotimeve tona në kuadër të agjendës së reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian, duke i kontribuar edhe procesit tonë të integrimit evropian. Të nderuar të pranishëm, realizimi i kësaj platforme është rezultat i bashkëpunimit të shumë institucioneve dhe partnerëve. Projekti është iniciuar nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa pas themelimit të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, pronësia dhe përgjegjësia për udhëheqjen e zbatimit dhe vendosjen në përdorim është bartur në ministrinë tonë”, tha Jagxhiu.
