Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Pas më shumë se 15 vitesh neglizhencë dhe lënie pas dore, pishina në Akademinë Policore në Idrizovë është rinovuar plotësisht dhe është vënë sërish në funksion për nevojat e policisë maqedonase. Objekti, i cili për më shumë se një dekadë e gjysmë ishte jashtë përdorimit, me një investim prej rreth 5,7 milionë denarësh është rikonstruktuar dhe funksionalizuar për më pak se tre muaj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot vizitoi Akademinë Policore në Idrizovë, ku pati mundësinë të bindet nga afër për funksionalitetin e pishinës së rinovuar, në të cilën tashmë po zhvillohej testimi i aftësive notuese të kandidatëve për pranim në Njësinë Speciale Antiterroriste “Tigri”.
“Një objekt që për më shumë se 15 vjet kishte qëndruar i braktisur, e rikthyem në funksion për më pak se tre muaj. Ky është dallimi mes neglizhencës dhe rezultateve konkrete. Me një investim prej rreth 5,7 milionë denarësh siguruam kushte që kjo pishinë t’u shërbejë sërish punonjësve policorë, për trajnim, përsosje profesionale dhe mirëmbajtje të gatishmërisë fizike”, theksoi Toshkovski.
Pishina e rinovuar do të përdoret për trajnimin e policëve të ardhshëm, trajnime të specializuara të njësive policore, ushtrime shpëtimi dhe ruajtjen e përgatitjes fizike të punonjësve të policisë. Me rikthimin e saj në funksion krijohen kushte shtesë për avancimin e aftësive profesionale dhe gatishmërisë së policisë maqedonase.
Pishina ka edhe një vend të veçantë në historinë e filmit maqedonas. Pikërisht në këtë objekt, në vitin 1977, janë xhiruar skena nga filmi kult maqedonas “Ngrihu, Delfina”, i frymëzuar nga arritja e madhe sportive e Atina Bojaxhit, njoftoi ministria.
“Vazhdojmë të investojmë në dijen, gatishmërinë dhe zhvillimin profesional të punonjësve policorë, sepse investimi tek ata është investim në një polici më të fortë dhe një Maqedoni më të sigurt”, porositi Toshkovski.
